*Nga Mustafa Nano

Kur është bërë kryeministër, në vitin e largët 2013, Edi Rama me siguri ka menduar se përgjegjësia për të drejtuar vendin, sidomos një vend të ngatërruar si ky i yni, do t’ia bënte jetën malore.

Por i doli të ishte puna më e kollajtë. Madje Rama, ashtu si Liza down the rabbit hole, zbuloi gjëra të pabesueshme.

Zbuloi fjala vjen se një palo qeverisje, e shoqëruar herë pas here me skandale spektakolare, të del për mbarë. Zbuloi madje që sa më të shumta e më të mëdha të jenë dështimet e skandalet, aq më mirë është.

Dhe kështu i ndodhi që pas çdo pale zgjedhjesh të dilte më i fortë. Rezultatin më të mirë e arriti në mandatin e katërt. Një mrekulli që as në mendjen e Lewis Carrollit nuk do ekzistonte.

Kishte ca kohë që po i gëzohej sa më s’ka kësaj situate. Shfaqej rrallë e më rrallë në publik. Studiot e televizioneve ku hahej e grihej me gazetarët i braktisi. Edhe të vetët i urdhëroi të bënin të njëjtën gjë.

Kundërshtarëve u vari teneqenë. Shkurt, jetonte mes një karari të madh, gjë që i shquhej më së pari te delli krijues (ministrja Diella është shpikja e fundit e tij) e te trilli për të eksperimentuar me veshjen.

Ka ca kohë që nuk ka më frena. Ka zënë të mbathë vend e pa vend bluza me mëngë tejet të gjera, e shallvare që ngushtohen në fund, por pa shkuar poshtë noçkave të këmbëve, dhe kur moti është i freskët e kall veten nën një mantel të stërmadh.

Me këtë veshje, ngjan si i arratisur nga spitali i Dr. Petrelës. Ose nga laboratori i Frankensteinit.

Ju kujtohet, besoj, fabula e romanit të njohur. Një shkencëtari qëllimmirë ia dha në kokë të krijonte një njeri të bukur, të ditur, të përsosur, por ndodhi, për shkak të ca llogarive të gabuara që në krye të herës apo të ca yçklave që i dolën në rrugë e sipër, të sajonte një krijesë me përmasa të mëdha, dhe me gjymtyrë të pazakonta.

Shkurt, një kataná të frikshëm. Ishte i gjatë mbi dy metra. Ç’ishte më e keqja, i doli nga kontrolli krijuesit naiv.

Të gjithë e dimë se si filloi historia e Frankenstein-it tonë. Në vitin 2013, shqiptarët panë tek ai shpresën e tyre të vetme. Një milion vetë votuan për të.

Një vështrim mbi një tjetër kataná

Në fakt, ishte një votë plebishitare kundër Berishës, gjë që e bëri këtë të fundit të jepte dorëheqjen, me premtimin se nuk do të kthehej më në krye të partisë dhe se nuk do të synonte më përgjegjësi e poste publike.

Teksa bënte këtë premtim solemn, fshinte djersët me një shami të bardhë, që çuditërisht iu gjend në xhep, a thua se e dinte se do t’i lipsej.

Të gjithë ishin të sigurt se po jetonin fundin e karrierës së Sali Berishës, ndonëse ai ua bëri të qartë me një frazë që nuk mori vëmendjen e duhur: “Nuk do të largohem kurrë as nga politika, as nga PD-ja; edhe sikur një demokrat të mbetet në PD, ai demokrat do të jem unë.” Si po shkojnë gjërat, nuk është çudi t’i dalë fjala.

Me të bërë deklaratën e “dorëheqjes”, Berisha organizoi zgjedhjet në parti, dhe i rregulloi punët që të zgjidhej në krye Lulzim Basha, të cilin ndërkohë e kishte përgatitur për atë ditë.

I duhej se s’bën një njeri besnik, që ta merrte në mbrojtje nëse kundërshtarët do kujtoheshin për të hapur çështje penale ndaj tij e anëtarëve të familjes. Ishte një frikë që lidhej me vetëdijën prej keqbërësi, jo me ndonjë sinjal konkret.

Largimi prej syve të publikut mund të shoqërohej me perceptimin se ishte më në fund i vetmuar dhe i cënueshëm, dhe kështu mund të inkurajoheshin lloj-lloj njerëzish për revansh ndaj tij, prandaj nuk vonoi ta përcillte mesazhin: “Hej, mua këtu më keni.” Mori një zyrë të tijën private, prej ku tërhiqte fijet në prapaskenë.

Pasditet i kalonte në vilën gjigande të së bijës në Lalëz, buzë detit, por “orarin zyrtar” e kalonte në një nga katet e larta të ndërtesës përballë RTSH-së, ku priste e përcillte demokratë që donin të nisnin karrierën politike, të tjerë që donin ta mbronin karrierën e tyre, më tej akoma njerëz që i ankoheshin për Bashën, të tjerë që i kërkonin të rikthehej në krye të Partisë, militantë, biznesmenë, “patriotë” kosovarë, informatorë, spiunë. Zyra e tij ishte si vend pelegrinazhi.

Nuk u pikas asnjë sëkëlldi brenda kampit demokrat prej dualizmit që ishte i qartë: Berisha shtirej sikur kishte ikur, e Basha shtirej sikur ishte kryetar i PD-së.

As gazetarë e intelektualë publikë afër PD-së (apo kundër PS-së) nuk treguan se ishin të sëkëlldisur. Përkundrazi, jetonin me idenë se largimi i Berishës, apo ndonjë ndëshkim eventual i këtij të fundit prej drejtësisë, do të ishte një poshtërsi në shërbim të Ramës.

Të vetmit të sëkëlldisur ishin amerikanët që, në përpjekje për të bërë reformën në drejtësi, apo për të ndërmjetësuar negociata mes palëve politike në vend, kuptuan se harxhonin frymën kot me Bashën.

Në fund, vulën gjërave ua vinte Berisha, të cilin, megjithatë, ata nuk donin ta takonin, së pari ngaqë ia kishin hequr fillin tanimë, e së dyti ngaqë do donin gjithsesi të ruanin një dekor të sjelljes legale (legalisht kryetar ishte Basha). Por u tërbuan kur u bindën se Berisha po u sabotonte reformën në drejtësi, duke përdorur Partinë Demokratike.

Erdhën zgjedhje pas zgjedhjesh, të cilat PD-ja i humbi. Ndërkohë, Berisha jo vetëm i dilte për zot humbësit Basha, por edhe vetes për gjithçka kishte ndodhur në të shkuarën, duke u mburrur me gjëra që i llogariteshin si krime, aq sa në një moment s’e pati për gjë të thoshte: “Sikur Edi Rama të bënte në protestë të dytë pas 21 janarit 2011, do vendosja pesë snaipera mbi tarracën e kryeministrisë.

Nëse ata nuk do t’i bindeshin urdhërit për të shtënë mbi Ramën, atëherë do shndërrohesha vetë në snaiper. Do merrja nishan e do shtija vetë mbi kreun e opozitës.”

E pabesueshme. Pritej që ndonjë demokrat të ngrinte zërin e të thoshte: “Hej, nuk mund të vazhdohet kështu! Duhet ta provojmë ndryshe këtë punë.” Por jo, as që bëhej fjalë.

Përkundrazi, bënë lajthimin logjik më banal: çfarë në të vërtetë ishte problem, e konsideruan si zgjidhje. Morën një të mbrapshtë për hero e shenjt. Është një gabim që shqiptarët e bëjnë rëndom e symbyllur.

Sidoqoftë, Berishës i shkonte në mendje se demokratët mund të lodheshin prej besnikërisë së pashpërblyer me dhurata pushteti. Në të njëjtën kohë ndjeu që laku po i ngushtohej.

Ai e dinte shumë përpara të tjerëve se amerikanët diçka po kurdisnin. Fillimisht ndërprenë kontaktet me të. Pastaj e ndaluan (tok me familjen) të udhëtonte në SHBA.

Dhe kështu, filloi të merrte disa kundërmasa. Rriti mbikqyrjen mbi Bashën, tek i cili pa që konvenienca po fitonte mbi mirënjohjen. E për të forcuar pozitat brenda PD-së, hapi televizionin e vet Syri, të cilin e financon dhe e drejton i biri. Në ç’mënyrë? Askush nuk e thotë këtë gjë. Është ndërmarrja më pak transparente në botën e biznesit shqiptar.

Mund ta bëjë transparencën qeveria, por stepet, pasi nuk do të shtojë në listën e zullumeve të veta edhe “dhunën” ndaj medias opozitare. Edhe SPAK-u ka të njëjtët skrupuj, me sa duket përballë denoncimit të Berishës, se po burgosen krerët e opozitës, gjë që në fakt është e vërtetë: Berisha, Meta, Mediu janë ose në burg, ose nën hetim.

Kjo është arsyeja që atij i duhej t’ia merrte partinë Lulzim Bashës, kur ky i fundit u mbajti ison amerikanëve që e shpallën non grata. Qyqari Basha e bëri jo sepse mendonte që Berisha e kishte hak atë goditje, por sepse atë goditje e bënë amerikanët. Nuk çmoi veprën, por autorin.

Me fjalë të varfëra, iu mbajt devizës: amerikanët kanë të drejtë edhe kur e kanë gabim. Kjo ishte arsyeja që përjashtimin e Berishës nga PD-ja, e motivoi me logjikën: “Berisha është një legjendë e PD-së, ai ka kontribute të jashtëzakonshme në historinë e vendit, ai do të mbetet përherë në zemrat tona, por neve na duhet ta përjashtojmë, pasi nuk mund të vëmë në diskutim orientimin tonë euroatlantik.”

Por Berisha nuk u largua. Ai bëri tjetrën: filloi fushatën kundër Bashës, e mbi të gjitha kundër George Sorosit që, mes punëve të shumta të mbrapshta në dëm të njerëzimit (siç besojnë konspiracionistët), kishte gjetur kohë për një kokëçarje shtesë: të mos e lejonte më Berishën të bënte punë të mira në favor të kombit të vet, sidomos Kosovës. Doli që nuk ishte ashtu.

Trumpi po mbush një vit në Shtëpinë e Bardhë, dhe nuk duket se ka ndonjë shans që non grata t’i hiqet, edhe pse miliona dollarë janë shkapërderdhur për këtë qëllim.

U supozua se demokratëve, pasi damka “non grata” i mbeti edhe nën Trumpin, do t’u dilte narkoza. Por jo dhe jo dhe jo. Nuk doli qoftë edhe një njeri i vetëm që t’i thoshte: “Ik, në ke Perëndi! T’i kemi bërë hallall të gjitha, veç ik! Kthehu në shejtninë e jetës tënde private dhe na lejo të shohim se ç’mund të bëjmë për të hapur një kapitull të ri.”

Në mënyrën më të pabesueshme, të gjithë i janë dorëzuar dhe e ndjekin në betejat e tij kundër “tradhëtarëve të brendshëm” që s’kanë të sosur. I fundit është Salianji që – vini re! – inatin e ka me Flamur Nokën, jo me Berishën. I ka bërë mbështetësit e vet si ai qeni i Biblës, që kthehet të hajë të vjellat e veta.

Buzë e paqeshur: Shpëtuam nga një e keqe e ramë në një tjetër

Në këto rrethana, shqiptarët e tjerë, socialistë e jo, e kishin zgjedhjen. Kishin Ramën, të cilit do të ishin të gatshëm t’i falnin çdo punë të ligë, me kusht që t’ua mbronte e përfaqësonte kauzën më të madhe, ndoshta të vetme, që kishin: Të mos e lejonte barbarin të kthehej për herë të tretë. Kauzë e fisme, s’ke ç’thua. Dhe për një kauzë të mirë mund të bëhen pa problem edhe punë të këqija.

Po Edi Rama, për të bërë punë të liga, nuk ka nevojë për kauza të fisme. I del e i tepron tamahu për pushtetin. E do pushtetin si asgjë tjetër në këtë botë. E keni dëgjuar, kur flet për një jetë të tretë të tijën?

Ta dini se shtiret. As që e ka në plan një jetë të tretë. Por edhe sikur, ai nuk është i lirë për të marrë një vendim. Nuk varet më nga ai. Vjen një moment, kur është karma që i merr gjërat në dorë. Prapësitë gjatë qeverisjes i sillen si gjyle nëpër këmbë.

Por nuk duhet përjashtuar edhe që është peng i natyrës së vet. Për të ka rëndësi me pasë, jo me qenë. Dhe “me pasë” nënkupton reflektorët mbi vete, mundësinë për të rënë në sy, për të pasur ndikim, për të qenë në krye, për të ndryshuar jetë e fate njerëzish, për të bërë jetë të bukur, për të hyrë në kontakt me njerëz të rëndësishëm të botës, për të pasur të drejtën për të marrë me një të rënë të lapsit vendime të mëdha të tipit “të ndërtohen disa qiellgërvishtësa në qendër të Tiranës, t’u jepet Sazani fëmijëve të Trumpit, t’u falet arabëve Porto-Romano për të ngritur një port turistik, të ngrihet një aeroport fantazmagorik në Kukës, etj, etj”.

Parimi: “ec në rrugë të gabuara, mjaft të mbërrish në tempull”, edhe sikur të mos ekzistonte, do të shpikej prej tij. Dhe tempulli në këtë rast do të ishin të gjitha gjërat që sapo rreshtova, por edhe të tjera, të cilat përblidhen nën një emër: pushtet, apo në një version të romantizuar: histori.

E ka shprehur në një rast këtë dëshirë të tij të fshehur në një intervistë për një radio franceze. “Dua të hyj në histori” i tha moderatores fare pa të keq, pa i shkuar mendja se ta censuronte atë mendim e të mos e lejonte të bënte rrugën e gjatë prej trurit deri te goja, e në vend të tij të shprehte mendime të tjera që mund të bënin më shumë kuptim për audiencën franceze, psh “dua të bëj gjëra të vlefshme për vendin tim”, ose “dua të vë në jetë disa ide që i konsideroj me shumë rëndësi”, etj.

Në histori ka hyrë, sidoqoftë. Në më shumë se një mënyrë. Nuk besohet se e gënjen mendja që bën pjesë në klubin e më të rëndësishmëve të botës, por posti që mban i jep megjithatë të drejtën për të hyrë e dalë prej atij klubi. Dhe kjo e eksiton atë. Ky klub është si parku i lodrave për një fëmijë. O, sa zbavitet Rama brenda këtij klubi!

Ka mundësi të tërheqë vëmendje, dhe për fat këtë gjë mund ta bëjë pa u sforcuar fare. Ka shtatin që nuk lë indiferent askënd. Ka edhe gojën. Ka talentin për të thënë gjëra në mënyrë interesante (zët ta kemi, por hakun mos ia hamë!). E nëse ka që nuk impresionohen nga shtati e goja e tij, është ai që u vardiset. Është si ata persona, vajza apo djem, që fiksohen pas atij që nuk ua var. U pa një herë që iu avit Leonardo di Caprio-s në një forum ndërkombëtar.

Aktori i famshëm ishte ulur në ndenjëse e po lexonte diçka. Rama i shkoi pranë, i sigurt se do t’i bënte përshtypje, në mos tjetër me shtatin, që Rama e sheh, dhe e ka, si pararojën e dukës së vet. Mirëpo nuk funksionoi. Aktori i famshëm i dha dorën si me pahir, gati i bezdisur. Dhe nuk i lëvizi bythët nga vendi. (Di Caprio ia ka punuar më zi kryeministrit britanik, Boris Johnson. Futuni në Google e kërkojeni.) Ktheu veç kokën, dhe zuri të dëgjonte se ç’po i çaprashiste tjetri.

Mirëpo, diçka nuk po shkonte, ngaqë distanca nga goja e Ramës te veshët e Di Caprios ishte pazakonshmërisht e gjatë. Dhe kryeministri shqiptar i dha dum punës të ulej në bisht e t’i fliste, me shumë gjasë mbi luginën e lumit të Vjosës, për mbrojtjen e së cilës aktori kishte lobuar. Ky i fundit nuk e hoqi maskën e akullt deri në fund. Është një nga rastet e pakta, në të cilat Rama duhet të jetë ndjerë ligsht, i shpërfillur.

Dikur andej nga viti 2017, në një mbledhje të NATO-s, pati mundësi t’i jepte dorën Trumpit, dhe kështu bëri edhe një verifikim, të cilin kish kohë që e priste me zemër të ngrirë. Gjatë fushatës presidenciale amerikane, Rama kishte bërë një proçkë. U fut si pykë në një lojë që s’ishte e tij e që ai s’kishte këllqe për ta luajtur.

Një sjellje axhamiu. “Fitorja e Trumpit do të ishte fatkeqësi për botën, SHBA-të e Ballkanin”, tha në thelb. E tha për mediat e Tiranës, me shpresë se lajmi mbi një politikan ballkanik që u bie borive të alarmit për rrezikun “Trump” do të mbërrinte deri te mediat amerikane. Në fakt, mbërriti. Dhe Ramën e ftuan edhe në CNN, ku ai iu mbajt të njëjtave qëndrime, madje me një gjuhë të fortë.

Nuk e pa këtë si një bast, apo hedhje zari. Jo, ishte i sigurt se Hillary Clinton do të fitonte. S’kishte faj. Të gjitha sondazhet e nxirrnin shumë pikë përpara rivalit të saj republikan. Mirëpo, për befasinë e të gjithëve fitoi Trumpi.

Nuk dihet nëse Trumpit i kanë hartuar gjatë asaj fushate ndonjë listë njerëzish që i kishin bërë goditje pas shpine, por edhe nëse ia kanë bërë, Rama me siguri nuk është përfshirë në të. Ka qenë shumë i vogël për të tërhequr vëmendjen e shpurës së Trumpit, lëre të Trumpit vetë. Por pavarësisht kësaj, atë nuk e ka mbajtur vendi deri më 25 maj 2017, në takimin e parë të NATO-s, në të cilin do të merrte pjesë edhe Presidenti i ri amerikan.

Ky i fundit as që dha shenja se e njihte, aq më pak që kishte ndonjë inat me zdapin nga Ballkani. Në fakt, Trumpi u pa në një moment në korridoret e ndërtesës së NATO-s në Bruksel t’i jepte një të shtyrë një politikani nga Ballkani, por viktimë e këtij gjesti harbut ishte kryeministri malazez, Dushko Markoviq, me të cilin Trumpi nuk kishte ndonjë kunjë. Malazezi qëlloi që i zuri rrugën. Bad timing.

Në diskutimet që u bënë në atë forum, Trumpi zuri t’u hakërrehej udhëheqësve europianë: “Duhet të rrisni buxhetet tuaja të mbrojtjes; jeni vendet më të pasura të botës, dhe duhet të paguani për sigurinë tuaj, që ua garantojnë SHBA-të.”

Ishte një gjë, për të cilën ai kishte folur edhe gjatë fushatës elektorale. Dhe është një nga gjërat më logjike që kanë dalë prej gojës së tij ndonjëherë. Ramës kaq iu desh. Teksa të tjerët po i bënin bisht e naze kërkesës së Trumpit, ai kërkoi fjalën dhe tha: “Presidenti Trump ka të drejtë. Unë jam udhëheqësi i një vendi fare të vogël, dhe asnjë zotim i imi nuk ka vlerë mes jush, por unë po zotohem sidoqoftë se do ta rris buxhetin e mbrojtjes të vendit tim deri në 2%.” Të gjithë u kapën në befasi.

Trumpi më shumë se të gjithë. “Kush është ai zotëria?” pyeti. “Është kryeministri shqiptar” sqaroi dikush. “Është i vetmi burrë i urtë mes jush, ta dish” iu shfry kryeministrit holandez, Mark Rutte, që po i kundërvihej Trumpit me idenë se “vërtet ju garantoni sigurinë tonë, por ne ju ndjekim pas edhe kur ju bëni luftra të gabuara apo marrëzi të tjera”.

Por Ramës nuk i interesonte debati. Ai e korri fitoren e tij. Kishte shkuar në atë takim me mendjen se do i duhej të lante një borxh, e papritur po kthehej me qesen plot. I kishte fituar zemrën presidentit amerikan. Ishte një nga momentet më të lumtura të jetës së vet.

Sipas një legjende urbane, e gjithë ajo vardisje (e përforcuar edhe nga peshqeshi që u bëri fëmijëve të Trumpit: ishulli i Sazanit) i ka shkuar dëm. Fajin e ka sërish goja e tij e gjatë.

E përgojoi Trumpin (që kishte ngatërruar emrin e një shtetit në Kaukaz me Shqipërinë), dhe këtë e bëri në prani të Macronit, që ia mirëpriti talljen. Trumpi, që me siguri e ka marrë për një poshtërim europian ndaj tij (me Europën, për arsye të mistershme, nuk i del i keqja) kaq desh.

Thonë se të vetët kanë vënë në lëvizje ambasadën në Tiranë, plus SPAK-un, sidomos SPAK-un, për t’i dhënë Ramës një goditje, të cilën ky i fundit nuk e ka pas futur në llogari asnjëherë.

Ka që s’e besojnë këtë legjendë, por unë nuk do befasohesha po të ishte e vërtetë. Donald Trumpit, kur i lëndohet egoja apo sedra, gjëja më e parë që i shkon në mendje është hakmarrja.

Nëse hakmarrja është me kosto, ai e shtyn për një moment më vonë, ose mendohet një copë herë, por kur kostoja është zero, siç është në rastin me Ramën, hidhet menjëherë në aksion.

Duket pak e çuditshme që amerikanët t’i japin goditje vdekjeprurëse kryeministrit në rrethanat kur e vetmja alternativë mbetet një njeri i shpallur non grata po prej tyre, por do të ishte më e çuditshme të besonim se është SPAK-u vetë që po e bën këtë gjë. Nuk ka se si. SPAK-u nuk mund të godasë në këto nivele pa ok-in e amerikanëve.

Kjo strukturë është e krijuar prej SHBA-ve, financohet pjesërisht prej tyre, dhe mbikqyret në çdo hap po prej tyre. Ka amerikanë që punojnë në SPAK. Diplomatë amerikanë, deri edhe ambasadorë, kanë hyrë e kanë dalë nga dyert e SPAK-ut sa herë ua ka dashur qejfi.

Madje, ata mbajtën në kontroll gjithë procesin e këtyre ditëve të zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, dhe në fund u zgjodh një beniamin i tyre.

Normalisht, në mbrojtje të sovranitetit, kryeministri do duhej të mos e lejonte këtë uzurpim flagrant të këtij organi kaq vital të shtetit shqiptar, por Ramës as që i shkon mendja të bëjë ndonjë veprim, së pari sepse nuk do kishte mbështetjen e shqiptarëve (shumicës) e së dyti se nuk ia mban. Pse vallë? Përgjigja është e thjeshtë: E ka mizën nën kësulë.

Amerikanët me siguri dinë gjëra. Më e pakta, dinë që abuzimi me pushtetin nuk është se thjesht bëhet nën hundën e Ramës. Bëhet nën mbrojtjen e tij.

Por amerikanët nuk është se dinë gjëra që ne nuk i dimë. Kur Rama u thirr në komisionin parlamentar mbi inceneratorët për të dhënë dëshminë e vet, ai shkoi me dëshirë të madhe, a thua se e kishin ftuar në një orgjí me maska.

Në fakt, e ktheu rrjedhën e gjërave. I vuri përpara anëtarët opozitarë të Komisionit, duke i intimiduar, përqeshur, kompleksuar.

Anëtarët e Komisionit kishin shkuar atje të sigurtë se do ta kryqëzonin, por Rama shtiu “me sukses” në punë aftësitë e tij prej prestigjatori për t’i sfiduar faktet e nxjerra me lojra fjalësh e për t’iu përvjedhur përgjegjësisë nëpër monopate proceduriale. Socialistët u kënaqën, ndërsa demokratët nuk mund të mos i njihnin meritat armikut të tyre.

“Kije inat, por jepi hakun: i vuri përpara si delet; është shkërdhatë, nuk ke ç’thua,” u dëgjuan të thoshin demokratët atëmot, dhe kuptohej, “shkërdhatë” ishte një kompliment i dëshpëruar.

Pakkush u shfaq i ftilluar për të bërtitur faktin që në atë rrethanë, kur prej muajsh po flitej mbi një mega aferë korruptive, një kryeministër normal do duhej të shkonte në Komision me një dispozicion e qëllim tjetër.

Një kryeministër normal do duhej t’u drejtohej anëtarëve të Komisionit me fjalë të tjera: “Zotërinj, jam i shqetësuar po aq sa edhe ju mbi denoncimet që janë bërë, prandaj kam ardhur këtu që t’ju bëhem krah për ta ndriçuar të gjithë këtë histori; për një arsye të thjeshtë që mund ta merrni me mend (ky është një investim i jashtëzakonshëm i qeverisë sime), jam shqiptari më i interesuar që të dalë e gjithë e vërteta në shesh, dhe që fajtorët (nëse do ketë të tillë) t’i çojmë në sallën e gjyqit; nëse nuk do të rezultojë se ka pasur ndonjë aferë korruptive, në sallën e gjyqit do duhen çuar ata që kanë shpifur e sajuar.”

Por Rama nuk u duk se ishte i shqetësuar, në një kohë që shkak për shqetësim kishte me okë. Prokuroria kishte arrestuar disa vetë për këtë çështje. Ndonjëri ishte shpallur në kërkim.

Të shumtët e atyre që “kishin bo lek t’modh” prej aferës së inceneratorëve o vinin nga asgjëja, o ishin cuba. Është një gjë që ndodh rëndom “nën hundën” e Ramës. Në skandalin më të fundit, këtë të AKSHI-t, kemi të njëjtin joint venture: horra + dinjitarë të shtetit.

Pika më e ulët e shfaqjes së Ramës në atë mbledhje të Komisionit parlamentar ishte momenti kur dikush përmendi faktin se një dokument ishte nënshkruar brenda një dite nga 17 krerë dikasteresh.

Një mobilizim i tillë, me kuç e me maç, i gjithë administratës publike për t’u vënë në funksion të tekave të një sipërmarrjeje të vetme ishte për listat e rekordeve Guinness. Edhe në Ukrainën e sotme në gjendje lufte nuk mund t’i bësh dot bashkë 17 institucione brenda orarit zyrtar për të marrë nënshkrimet mbi një urdhër luftarak.

Por ja, ndodhi në Shqipëri për llogari të llogarive (nuk është lojë fjalësh) të ca njerëzve që ende nuk e dimë tamam se kush janë. Rama u përgjigj me fjalët: “Unë nuk e kam këtë informacion.

Kryeministri jo domosdoshmërisht duhet ta ketë atë informacion.” Kishte të drejtë. Është absolutisht kështu. Por harroi të shtonte: “Më jepni pak orë për ta verifikuar këtë gjë.

Dhe më prisni nesër për sqarime.” Pas kësaj, urgjentisht do duhej të bënte një mobilizim tjetër të administratës publike, për të patur mundësi “ta dëgjonte këngën në playback”.

Por as që e vuri ujin në zjarr. Ai e bëri çfarë kishte për detyrë: t’ua bënte rrup-sup opozitarëve, dhe t’u dilte në mbrojtje të vetëve të kapur me presh në dorë.

Të shumtët e shqiptarëve, pavarësisht prangave e akuzave në kurriz të bashkëpunëtorëve të Ramës, e kanë votuar këtë të fundit për disa arsye, dy prej të cilave janë: 1. Me katananë tjetër i kanë mbyllur hesapet një herë e mirë; dhe 2.

Zemërimi prej abuzimit me pushtetin ka qenë më i vogël sesa ngazëllimi që më në fund, për herë të parë prej krijimit të shtetit shqiptar, ata që kanë në dorë pushtetin kanë krijuar disa institucione hetimi e gjykimi, të cilat po godasin lirisht edhe vetë njerëzit me pushtet. Dhe deri më sot kryeministri ka mbështetur organin e akuzës e jo të akuzuarit.

Mirëpo me rastin “Balluku” nuk po i mbahet më qëndrimit, se secili berr varet nga këmbët e veta. Në ndryshim nga çfarë ndodhi me Ahmetin e të tjerë, Ballukun po e merr në mbrojtje.

Ka zënë të flasë për mëkate e probleme të sistemit të drejtësisë, ka sulmuar vendimin e gjykatës për ta pezulluar Ballukun, e ka quajtur të paprecedent (në të vërtetë, është marrë në përputhje me kodin e procedurës penale. Lexoni nenin 240, pika 1/a), ka parë në atë vendim një dëshirë të ligë për ta lënë vendin pa zv. Kryeministër e për të bllokuar qeverisjen.

Ka diçka që s’shkon këtu. Ne mund ta marrim të mirëqenë shqetësimin se segmente të sistemit gjyqësor duan të dëmtojnë qeverisjen, por jo që duan ta lënë vendin pa zv. Kryeministër. Nëse mbetëm ca ditë pa zv. Kryeministër, kjo ndodhi jo për shkak të gjykatës, por të Ramës, që mendonte se ai post, gjallë vdekur, i takuakësh Ballukut. Dhe gjyqtarët “e liq” mund t’i nxirrte huq duke e detyruar (apo lutur) Ballukun të hiqte dorë prej postit.

Ta bënte këtë veprim, jo ngaqë Balluku ishte fajtore (ne këtë ende nuk e dimë), por ngaqë nuk kemi pse të mbajmë në post dikë që është i akuzuar.

Çdokush duhet të përballet me akuzat si gjithë qytetarët e tjerë, pa mbrojtjen prej statusit apo pushtetit. Rama këtë nuk e bëri. E duket se nuk e ka në plan ta bëjë. Ka në plan të bëjë të kundërtën, dmth ta vërë të gjithë parlamentin e partinë në mbrojtje të zv. Kryeministres.

Por nuk është se do të zgjidhë ndonjë gjë. Punët më keq do t’i venë. Nuk i ka më gjërat nën kontroll. Gjirizet kanë shpërthyer e mutrat kanë dalë rrugëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB