Stuhi të forta shiu dhe përmbytje në Kaliforni, humbin jetën tre persona
Një tabelë reklamuese në New York City me mesazhin “Jezusi është palestinez” e vendosur në Times Square nga Komiteti Amerikan i Diskriminimit Arab ka shkaktuar mjaft trazira.
Qëllimi i organizatës pro-palestineze ishte të rriste ndërgjegjësimin për Gazën me dy mesazhe: I pari kishte të bënte me origjinën e Jezusit, i cili sipas Biblës lindi në Betlehem, një qytet në Bregun Perëndimor Palestinez, dhe i dyti përmbante një fragment nga Kurani. Pasazhi ishte “Kujto kur engjëjt shpallën: O Merjem! Allahu të jep lajmin e mirë për një Fjalë prej Tij, emri i tij do të jetë Mesia, Jezusi, djali i Merjemes, i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën, dhe ai do të jetë një nga ata që janë më afër Allahut”.


Megjithatë, disa përdorues të mediave sociale e përshkruan tabelën si “provokuese” dhe “johistorike”, duke theksuar, ndër të tjera, se Jezusi – siç përshkruhet në Bibël – ishte hebre dhe se Palestina nuk ekzistonte në kohën e Jezusit, pasi rajoni ishte nën sundimin romak dhe njihej si Judea.
“Është një mesazh mjaft përçarës. Nëse je pro-palestinez, do ta gjesh në rregull. Ndoshta nuk është koha e duhur për ta postuar. Është provokuese”, komentoi një turist për New York Post.
“Çfarë mesazhi i neveritshëm dhe përçarës”, “të vetmit njerëz që do ta vlerësojnë janë ata që janë tashmë në anën tënde. Është tepër mungesë respekti dhe i largon të gjithë të tjerët”, “reklamë interesante! Jezusi lindi në Betlehem të Judesë, përpara se të quhej Palestinë (koha romake). Pretendimi i sotëm pasqyron identitetin kulturor, jo historinë. Ai provokon një bisedë të mirë rreth trashëgimisë kundrejt gjeopolitikës”, “Jezusi lindi hebre në Betlehem, familja e tij ishte hebreje”, ishin disa nga komentet në X.
Nga ana e tij, drejtori ekzekutiv i ADC-së, Adeeb Ayoub, argumentoi se tabela nuk kishte për qëllim të shkaktonte përçarje, por të ndihmonte komunitetet e krishtera, arabe dhe myslimane në SHBA të njohin “ngjashmëritë” midis kulturave të tyre.
“Shumica e amerikanëve në këtë vend janë të krishterë dhe vendlindja e Krishterimit është Palestina. Nëse njerëzit duan ta diskutojnë këtë, atëherë shkëlqyeshëm, tabela e nxiti bisedën. Të paktën po e diskutoni. Përndryshe, ata na heshtin dhe zërat e qëndrimet tona nuk dëgjohen”, shtoi ai.
Së fundmi, kur u pyet nëse tabela e vë në dyshim origjinën hebraike të Jezusit, Ayoub u përgjigj se çështja “është çështje interpretimi” dhe se “Jezusi jeton tek ne të gjithë”.
Top Channel