Turizmi fetar pa sezon/ Rritje me 16.5%, ekspertët: Po nxit ardhjen e vizitorëve gjatë gjithë vitit, luan rol të veçantë

26/12/2025 20:03

Kur flasim për turizëm, zakonisht mendojmë për detin, malet apo qytetet historike. Por sot, një formë tjetër udhëtimi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje: turizmi religjioz.

Është një turizëm që nuk kërkon vetëm relaks, por edhe qetësi shpirtërore, histori dhe kuptim. Shqipëria, me kisha, xhami, teqe dhe pelegrinazhe shekullore, po zbulohet si një destinacion i papritur për këtë lloj përvoje.

Turistët e huaj thonë:

“Ka shumë paqe këtu në Shqipëri. Ju keni shumë tolerancë fetare. Kjo është edhe një ndër arsyet kryesore që vijmë edhe në këtë moment të vitit për të vizituar vendin tuaj.”

“Kemi parë që keni vende shumë të bukura, atraktive, si kishat edhe xhamitë. Ne jemi katolikë, por pavarësisht kësaj na pëlqen të shohim çdo gjë që ju keni. Dhe praktikisht do shkojmë të vizitojmë sa më shumë gjëra që mundemi. Duhet të jeni krenarë që keni një vend kaq të bukur dhe ne do të vijmë më shpesh.”

“Ne vlerësojmë shumë arkitekturën tuaj në vendet fetare. Dhe po, kjo është arsyeja që vijmë dhe vizitojmë Shqipërinë fetare. Vendi juaj ka një potencial shumë të madh për turizmin fetar, pasi jeni shumë tolerantë ndërmjet feve.”

“Kam ardhur në Shqipëri dhe mendoj se mikpritja juaj, besimet tuaja, janë ndër faktorët që na tërheqin të vijmë këtu. Unë nuk e kam problem të shkoj në xhami apo të vizitoj edhe pjesë të tjera tuajat. Janë kaq të bukura dhe do t’ua sugjeroj të afërmve dhe miqve të mi.”

Një përllogaritje për turizmin fetar po kryhet edhe nga Instituti i Statistikave, duke u përfshirë si një nga qëllimet e të huajve. Gjatë një periudhe 11-mujore, numri i turistëve që kanë ardhur për vizita fetare është rritur me 16.5 për qind. Por ky segment është edhe më i zhvilluar, teksa pyesim vetë turistët.

Pedagogu i Trashëgimisë Kulturore, Klajdi Dervishi thotë: “Kjo përfshihet te pjesa e atyre që marrin përsipër të udhëtojnë për arsye personale. Jo çdo turist që vjen ka një lidhje shpirtërore me këto objekte. Kjo mund të jetë edhe për atraksion dhe afrohet, futet brenda. Shohin një pikturë, afresk, që e promovon këtë objekt. Ka plot raste që vijnë me një qëllim të caktuar, si Xhamia e Et’hem Beut, Katedralja Ortodokse, Muzeu Kombëtar.

Jo vetëm nga rajoni dhe Evropa, por ky interes shtrihet edhe nga të huaj në kontinente të tjera.

Nga informacionet që kemi marrë dhe nga turistët, përveç vendeve fqinje – Greqia, Mali i Zi, Kosova – që janë më me shumicë, kemi edhe nga Gjermania, Italia, Turqia, që vijnë me grupe të caktuara dhe bëjnë guida në këto vende të shenjta.”

Por në këtë valë të turizmit në Shqipëri, edhe turizmi fetar ka një sërë sfidash.

“Së fundmi kemi edhe mastera të caktuar që merren me këtë fushë, që ndikojnë drejtpërdrejt në këtë turizëm fetar. Të vendosen persona të specializuar që t’i mbulojnë këto fusha”, shton pedagogu.

Turizmi religjioz tregon se udhëtimi nuk është gjithmonë çështje distance, por edhe reflektimi. Ai kthen vendet e besimit në ura lidhëse mes kulturave, brezave dhe popujve. Si një formë e re dhe në zhvillim, po luan një rol të rëndësishëm në turizmin gjithëvjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB