Tragjike në Greqi/ U nisën për të bërë ‘hiking’ në malin e mbuluar nga bora, katër alpinistë humbin jetën nga orteku

26/12/2025 20:46

Katër alpinistë të zhdukur para dy ditëve në malet e Vardhusisë, në zonën malore të Fokidës në Greqi janë konfirmuar të vdekur nga ekipet e shpëtimeve.

Ata janë gjetur të vdekur nën një ortek dëbore në një terren jashtëzakonisht të vështirë dhe të rrezikshëm.

Bashkë me ta u gjet e pajetë edhe një grua, e cila sipas informacioneve të para ishte shoqe e njërit prej alpinistëve, duke e çuar bilancin tragjik në katër viktima.

Sipas autoriteteve, alpinistët dhe gruaja kanë humbur jetën nga një ortek i befasishëm u që mendohet se u shkaktua nga shkrirja e një shtrese bore dhe akulli, pas përmirësimit të përkohshëm të motit.

Ditët e mëparshme zona ishte goditur nga reshje të dendura dëbore dhe temperatura të ulëta, ndërsa të enjten kishte pasur diell dhe rritje të temperaturës, një kombinim i rrezikshëm për krijimin e ortekëve.

Tre miqtë u nisën mëngjesin e së enjtes nga fshati Athanasios Diakos, ku njëri prej tyre kishte marrë me qira një banesë, ndërsa dy të tjerët kishin ardhur nga Athina.

Qëllimi i tyre ishte të përshkonin një itinerar malor drejt majës Korakas, një zonë ku relievi ndryshon papritur dhe bëhet veçanërisht i rrezikshëm gjatë dimrit.

Që prej atij momenti ata nuk dhanë asnjë shenjë jete. Një mik i tyre njoftoi autoritetet e Amfisës pasi humbi kontaktin me ta, ndërsa përpjekjet për lokalizimin e sinjalit të telefonave përmes sistemit 112 dështuan, pasi pajisjet e tyre ishin jashtë rrjetit.

Gjatë kërkimeve, u gjet edhe automjeti i alpinistëve, ndërsa më lart, në mal, zjarrfikësit zbuluan gjurmë këmbësh në dëborë, të cilat në një pikë humbnin.

Kjo, së bashku me borën e freskët, forcoi dyshimet se grupi ishte goditur nga një ortek.

Në operacion morën pjesë rreth 30 zjarrfikës, dronë për kërkime nga ajri dhe qen të trajnuar për shpëtim.

Sipas ekspertëve, malet e Vardhusisë janë një destinacion shumë kërkues, që gjatë dimrit nuk fal as gabimin më të vogël, edhe për alpinistët më me përvojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB