Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar projektligjin e ri, të quajtur “Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, me qëllim mbështetjen e demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit.
Dokumenti, i depozituar më 10 shtator 2025 në Dhomën e Përfaqësuesve, përfshin Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kroacinë.
Sipas raportit të Kongresit, korrupsioni, sidomos në nivelet e larta politike, mbetet pengesa kryesore për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të rajonit.
Në seksionin 5 projektligji parashikon sanksione ndaj individëve dhe subjekteve që kërcënojnë stabilitetin dhe sundimin e ligjit, si dhe raporte të detyrueshme mbi ndikimet malinje të Rusisë dhe Kinës, përfshirë fushata dezinformimi dhe kërcënime kibernetike.
Shqipëria përmendet si një nga vendet që përballet me sfida në prokurimet publike, institucionet e pavarura dhe proceset zgjedhore. Në seksionin 6 kërkohet krijimi i programeve kombëtare anti-korrupsion në secilin vend të Ballkanit Perëndimor dhe forcimi i strategjive ekzistuese për të luftuar korrupsionin politik dhe administrativ, duke përfshirë mbikëqyrjen e prokurimeve publike, mbrojtjen e informacionit dhe infrastrukturën kibernetike. Media e pavarur konsiderohet një partner i rëndësishëm në zbardhjen e korrupsionit, dhe për këtë arsye Kongresi nxit trajnimin e gazetarëve investigativë.
Një pjesë e rëndësishme është edhe “Iniciativa e Liderëve të Rinj të Ballkanit” në seksionin 9, e cila synon zhvillimin e liderëve të rinj në biznes, teknologji, qeverisje dhe gazetari. Po ashtu, projektligji promovon programe arsimore dhe shkëmbime me SHBA-në, përfshirë universitetet.
Top Channel