“Korrupsioni në nivelet e larta politike”/ Kongresi i SHBA prezanton projektligjin për Ballkanin, fokusi te krijimi i liderëve të rinj, preket edhe Shqipëria
Një shtetas shqiptar i dënuar për kultivim droge ka shmangur dëbimin nga Mbretëria e Bashkuar, pasi një gjykatë vendosi se kthimi i tij në Shqipëri do të kishte pasoja “padrejtësisht të ashpra” për partneren e tij, e cila nuk flet shqip dhe nuk ka lidhje me vendin.
Armando Iberhasaj u dënua me katër muaj burg pasi u kap duke kultivuar mbi 200 bimë kanabisi në një banesë në zonën e Derbyshire.
Sipas The Telegraph së cilës i referohet Top Channel, Iberhasaj u shpreh se dëbimi do të shkelte të drejtën e tij për jetë familjare sipas Nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se dënimi nën një vit nuk e bënte subjekt të dëbimit automatik.
Gjykatësja e Tribunalit të Lartë të Emigracionit, Sarah Pinder, pranoi se kultivimi i kanabisit mund të shkaktojë “dëm serioz shoqëror”, por theksoi se dënimi prej katër muajsh tregonte se vepra, në rrethanat konkrete, nuk përbënte “dëm serioz” sipas ligjit të emigracionit.
Ajo vendosi se dëbimi do të ishte “padrejtësisht i ashpër” për partneren e Iberhasajt, e cila nuk është me origjinë shqiptare, nuk ka vizituar kurrë Shqipërinë dhe nuk flet gjuhën.
Gjykata pranoi se ajo është e përkushtuar ndaj punës, si dhe se aktualisht ofron kujdes të përditshëm për nënën dhe motrën e saj, kjo e fundit nën hetime mjekësore për një diagnozë të mundshme kanceri.
Gjykatësja theksoi se kufizimi i mbështetjes familjare vetëm përmes komunikimit në distancë do të kishte pasoja të rënda për partneren.
Iberhasaj kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019 dhe u arrestua vetëm pak muaj më vonë për kultivimin e drogës.
Avokatët e Ministrisë së Brendshme argumentuan se partnerja e tij mund të përshtatej në Shqipëri, ashtu siç ai ishte përshtatur në Britani pa ditur anglisht dhe se marrëdhënia kishte nisur në një kohë kur ai nuk kishte të drejtë qëndrimi në vend.
Ata theksuan gjithashtu se tregtia e drogës shkakton dëme serioze për shoqërinë, duke ushqyer varësinë, krimin dhe pasigurinë në komunitete.
Vendimi vjen në një kohë kur Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, ka propozuar kufizime të reja për përdorimin e Nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga kriminelët e huaj dhe emigrantët ilegalë.
Sipas ndryshimeve të propozuara, vetëm familja e ngushtë do të merret në konsideratë, ndërsa gjyqtarët do të detyrohen të vendosin sigurinë publike mbi të drejtat individuale. Gjithashtu, çdo emigrant me dënim penal mund të përballet me refuzim qëndrimi ose dëbim.
Top Channel