Tre punonjës të Bashkisë Vlorë pezullohen nga puna, dyshime për marrje karburanti nga mjetet e punës

25/12/2025 12:56

Tre punonjës të Bashkisë së Vlorës janë pezulluar nga detyra që prej datës 19 dhjetor 2025, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë karburant nga mjetet e punës në Pikën e Grumbullimit të Mbetjeve. Në lidhje me këtë ngjarje ka nisur procedim disiplinor edhe ndaj një efektivi të Policisë Bashkiake.

Ngjarja është regjistruar më 19 dhjetor 2025, kur punonjësi i Policisë Bashkiake I.Dh. ka njoftuar Përgjegjësin e Sektorit E.V. se shoferi i një kamioni të ushtrisë, i parkuar brenda territorit të Pikës së Grumbullimit të Mbetjeve dhe i angazhuar në pastrimin e rrjetit të kanalizimeve të qytetit, kishte konstatuar shenja të dyshimta që tregonin se nga mjeti i punës mund të ishte marrë karburant.

Menjëherë pas njoftimit, Përgjegjësi i Sektorit, së bashku me efektivin P.M., janë paraqitur në ambientet e Pikës së Grumbullimit të Mbetjeve. Pas kontaktit me komandantin përgjegjës të mjeteve të ushtrisë, janë siguruar dhe verifikuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ishte parkuar kamioni.

Nga verifikimi i pamjeve filmike rezulton se kamera monitoruese që mbulonte këtë zonë është spostuar qëllimisht. Një situatë e ngjashme është konstatuar edhe në një tjetër interval kohor. Gjatë këtyre orareve, me shërbim ka qenë i planifikuar efektivi i Policisë Bashkiake M.J..

Sipas deklarimit të tij, kamerat janë lëvizur me arsyetimin se dy punonjës të ndërmarrjes së pastrimit, me iniciale A.B. dhe B.H., i kishin kërkuar zhvendosjen e pamjes së kamerave për të furnizuar automjetin e tyre me një bidon naftë.

Në vijim të këtij rasti, Policia Bashkiake ka nisur procedim disiplinor ndaj efektivit M.J. për shkelje gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa hetimet administrative vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Megjithatë, pavarësisht masave të marra, punonjësit e përfshirë kanë kërkuar të paraqiten sërish në punë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB