Mijëra besimtarë ndjekin meshën e Krishtlindjes në sheshin Shën Pjetrit, mesazhet e forta për paqe nga Papa Leoni

25/12/2025 12:28

Papa Leon i XIV kremtoi të mërkurën Meshën e parë të Krishtlindjeve të pontifikatit të tij, duke përshëndetur mijëra besimtarë të mbledhur në Sheshi i Shën Pjetrit, përpara se ceremonia të zhvillohej brenda Bazilikës së Shën Pjetrit.

Pavarësisht motit me shi, rreth 5 mijë besimtarë ndoqën meshën nga sheshi, shumë prej tyre përmes ekraneve gjigante të vendosura jashtë.

Në fjalën e tij para fillimit të shërbesës, Papa falënderoi turmën për praninë dhe këmbënguljen.

“Ju admiroj, ju respektoj dhe ju falënderoj për guximin tuaj dhe për dëshirën për të qenë këtu sonte”, tha ai, ndërsa shiu vazhdonte të binte mbi shesh.

“Shën Pjetri është shumë i madh, por fatkeqësisht nuk është i mjaftueshëm për t’ju pritur të gjithëve”, shtoi ai, mes duartrokitjeve të pranishmëve.

Gjatë meshës, papa e përshkroi Krishtlindjen si një festë të “besimit, bamirësisë dhe shpresës”, duke kritikuar një “ekonomi të shtrembëruar” që, sipas tij, “na çon të trajtojmë qeniet njerëzore si mallra”.

Homelia e Papës kishte një ton thellësisht fetar dhe nuk përfshiu referenca të drejtpërdrejta ndaj zhvillimeve aktuale politike apo ndërkombëtare.

Ceremonia u ndoq nga figura të larta të Kishës Katolike, diplomatë dhe rreth 6 mijë besimtarë brenda Bazilikës. Ajo shënoi lindjen e Jezu Krishtit, një nga ditët më të rëndësishme në kalendarin katolik, dhe u shoqërua me muzikë tradicionale dhe gjeste simbolike, përfshirë vendosjen e statujës së Foshnjës Jezus në grazhd.

Papa 70-vjeçar, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, ka adoptuar një stil më të përmbajtur dhe më të matur krahasuar me paraardhësin e tij karizmatik, Papa Françesku.

Një ditë më parë, Leo XIV kishte bërë thirrje për një armëpushim global në Ditën e Krishtlindjes, duke shprehur “trishtim të madh” se, sipas tij, Rusia duket se ka refuzuar një kërkesë të tillë për Ukrainën.

“E rinovoj thirrjen time për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë që të respektojnë të paktën një ditë paqeje”, deklaroi Papa nga rezidenca e tij në Castel Gandolfo, pranë Romës.

Krishtlindjet e vitit 2025 shënojnë gjithashtu përmbylljen e Vitit të Shenjtë Jubilar të Kishës Katolike, i cili gjatë muajve të fundit ka sjellë miliona pelegrinë në Romë dhe në Vatikan.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB