Inside Story/ Mjeku: Shurupi i ndaluar iu dha fëmijës, ai humbi jetën! Ja përgjegjësia e institucioneve…

24/12/2025 21:28

Të dhënat statistikore të Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë se nga viti 2014 deri në 2024 janë regjistruar 503 procedime penale për neglizhencë në mjekim.

Këto gabime të shtuara mjekësore shihen të lidhura ngushtë me mungesën e dokumenteve standarde për mjekët, për mënyrën se si duhet të veprojnë në çdo rast. Madje, në raste të caktuara, ky fenomen ka edhe anën tjetër të medaljes. Pavarësisht sjelljes profesionale të mjekut, mbi të mund të rëndojë përgjegjësia penale, edhe pse mund të ketë bërë më të mirën në një rast fatkeq.

“Herë pas here ne identifikojmë raste fatale të trajtimit të pacientëve, kryesisht për mungesë të këtyre protokolleve, por kemi edhe raste problematike ku mjekët kanë bërë më të mirën e tyre, sipas udhëzimeve që marrin nga shoqata ndërkombëtare të sëmundjeve të ndryshme, dhe vihen përballë akuzave të ndryshme nga prokuroria apo gjykata si pasojë e mungesës së protokolleve të trajtimit mjekësor,” u shpreh Qamil Dika, pedagog i organizimit shëndetësor.

Reformat gjysmake, mungesa e protokolleve të mjekimit për një sërë sëmundjesh dhe mungesat e vazhdueshme të barnave, me të cilat përballen spitalet shqiptare, e kanë vendosur mjekun në një situatë konfliktuale përballë pacientit, ndërsa institucioni mbetet i paprekur.

“Kemi pasur shumë konflikte mes mjekut dhe pacientëve, sepse ai përballë ka mjekun, e jo institucionin. Ka pasur një rregullore në QSUT sipas të cilës publikohej lista e medikamenteve që kishin në dispozicion për të sëmurët, por kjo praktikë nuk ndiqet më. Kjo është një lloj transparence për të mbrojtur veten. Por edhe proceset që ne kemi fituar, është institucioni që është ndëshkuar për të dëmshpërblyer pacientët, dhe jo mjeku,” u shpreh Egla Bardhi, Drejtoreshë TFL.

Shqipëria vazhdon të shpenzojë shumë pak para për shëndetësinë. Buxheti për vitin 2026 do të jetë rreth 109 miliardë lekë, duke zënë 12.3% të buxhetit të shtetit dhe 3.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndonëse ka ardhur me rritje krahasuar me një vit më parë, ai sërish ka pësuar ulje krahasuar me vitin 2021, kur buxheti i shëndetësisë ishte më i larti në historinë 30-vjeçare, duke arritur në 4.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Shëndetësia është e nënfinancuar. Megjithatë, secili shtet mund të prodhojë protokolle në varësi të mundësisë financiare që ka. Pra, është një mosdashje për të marrë përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë, sepse mund të marrë përgjegjësi buxheti, pra pjesa kryesore është që politikbërja nuk do të marrë përgjegjësi në këtë drejtim,” u shpreh Ilir Alimehmeti, zv/dekan, Fakulteti i Mjekësisë.

Ekspertët paralajmërojnë se cilësia e ulët e shërbimeve shëndetësore po çon qytetarët drejt spitaleve të vendeve fqinje. Për të argumentuar regresin që ka pësuar sistemi ynë shëndetësor, Alimehmeti i referohet situatës në veriun e Shqipërisë, ku qindra pacientë po i drejtohen Kosovës për trajtime mjekësore. Ndryshe nga 13 vite më parë, kur në spitalet tona trajtoheshin me dhjetra shqiptarë të Kosovës, aktualisht po ndodh e kundërta. Shifrat tregojnë se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti rreth 1 300 pacientë nga Shqipëria morën shërbim shëndetësor në spitalin e Gjakovës.

“Kjo tregon që shteti i ri i Kosovës, me shumë më pak të ardhura se ne, na ka parakaluar, dhe veriu i Shqipërisë po shkon të trajtohet në Kosovë, ndërsa shumë të vështirë ata që vijnë tek ne,” u shpreh Ilir Alimehmeti, zv/dekan, Fakulteti i Mjekësisë.

Ky nënfinancim, sipas ekspertëve, shoqërohet edhe me keqmenaxhim dhe orientim të fondeve drejt sektorit privat, përmes koncesioneve dhe paketave të rimbursimit. Në fund, ata që paguajnë çmimin më të lartë janë pacientët.

“Ajo që duhet të mendojmë është se duke mos pasur protokoll, ne dëmtojmë pacientin, dëmtojmë njerëzit tanë, fëmijët tanë, të dashurit tanë, sepse të gjithë kemi një të afërm që ballafaqohet me këtë sistem. Prandaj patjetër na duhet një gjë e tillë,” u shpreh Edi Tushe, mjek neonatolog.

Mjeku neonatolog Edi Tushe thekson se protokollet janë një mjet thelbësor jo vetëm për sigurinë e pacientit, por edhe për mbrojtjen mjeko-ligjore të stafit shëndetësor. Ai sjell shembuj konkretë nga praktika klinike, ku shmangia nga protokolli rrit rrezikun për komplikacione, shpenzime të panevojshme dhe konflikte mes mjekut dhe pacientit.

Duke iu referuar një ngjarjeje të regjistruar pak vite më parë, ku një mjek u ndoq penalisht për shkak se shurupi që i dha një pacienti të mitur nuk dha efektet, duke rënduar gjendjen shëndetësore që çoi në humbje jete, ai thotë se protokolli është barriera e parë që mbron edhe mjekun.

“I aprovuar nga Agjencia e Barnave dhe nga Ministria e Shëndetësisë, mundet që ky shurup të jetë ndaluar që në 2005 dhe ka histori të tilla. Në këtë rast mund të ndodhë që t’i marrë jetën fëmijës. Duke qenë i pambrojtur dhe i painformuar, mjeku përfundon në situata mjeko-ligjore të caktuara, që mund të jenë shumë të ndërlikuara. Protokolli e ndan këtë gjë,” u shpreh Edi Tushe, mjek neonatolog.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB