Inside Story/ “Korrupsion dhe shmangie përgjegjësie pas tragjedive”, ekspertët: Ja pse nuk kemi protokolle mjekësore me vlerë juridike…

24/12/2025 21:23

Mungesa e protokolleve mjekësore detyruese në Shqipëri është kthyer në një nga plagët më të rënda të sistemit shëndetësor publik, duke krijuar një mjegull ku përgjegjësia humbet, pacienti mund të dëmtohet dhe shteti shmang llogaridhënien.Më keq akoma, tragjeditë rrezikojnë të përsëriten.

Dallimi mes protokollit dhe udhërrëfyesit është se protokolli vendos rregulla të detyrueshme se si do të trajtohet një rast klinik, kurse udhërrëfyesi sugjeron se si mund të trajtohet ai.

“Në Shqipëri në dijeninë time, protokolle mjekësore me valencë juridike, nuk ka”, u shpreh zv.dekani i Fakultetit të Mjeksisë, Ilir Alimehmeti.

Protokollet mjekësore janë themeli i çdo sistemi shëndetësor për cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e kujdesit mjekësor. Mbi të gjitha, është një mekanizëm që ka vlerë ligjore. Që nënkupton se nëse një shërbim shëndetësor është i shkruar në protokoll, institucionet shëndetësore mbajnë përgjegjësi ligjore nëse nuk e ofrojnë.

Dhe për më tepër përgjegjësia ligjore dhe penale nuk mbetet vetëm tek mjeku, por shkon tek drejtuesit e spitalit apo te titullari i ministrisë së shëndetësisë. Kjo, do të ishte një formë e parandalimit të tragjedive që përsëriten.

Edi Tushe, i cili ka drejtuar për shumë vite shërbimin e neo-natalogjisë pranë maternitetit” Koço Gliozheni”, pranon se pavarësisht përpjekjeve për të hartuar protokolle klinike, ata nuk janë miratuar asnjëherë si një dokument ligjor dhe i detyrueshëm.

“Historia e protokollove mjekësore, nisi në vitit 94-95 me ndihmën e partnarëve ndërkombëtare për shëndetin perinatal apo riprodhues. kohë pas kohë janë krijuar protokolle mjekësore dhe aprovuar qoftë nga ndërkombëtarët dhe ministria e shëndetësisë, por shpeshherë protokollet mjekësore ngelen një letër pa vlerë”, u shpreh mjeku Edi Tushe.

Në vitin 2024 në Shqipëri u regjistruan 23 310 lindje të reja dhe afërsisht 50% erdhën në jetë me lindje çezariane. Frika nga dhimbjet është arsyeja kryesore që nënat e reja zgjedhin për t’iu drejtuar kirurgjisë.

Por, mjeku Edi Tushe e sheh këtë trend me shqetësim. Ai shpjegon se po të ekzistonin protokollet mjekësore, një pjesë e mirë e ndërhyrjeve çezariane do të ishin evituar.

“Në protokoll është që një operacion i planifikuar duhet të bëhet pas javës së 39 të shtatzënisë, në shumë raste bëhet në javën e 38 në këtë rast të gjitha të dhënat tregojnë që sëmundshmëria e fëmijës, është 3 herë më e lartë se zakonisht”, u shpreh mjeku Edi Tushe,

Në këtë rast fëmija mund të ketë nevojë të vendoset në terapi intensive ku një ditë qëndrimi kushton mesatarisht 500-700 dollarë. Kjo do të thotë shëndet i dëmtuar, stres psikologjik dhe kosto të larta, një pjesë e mirë e të cilave bien në kurriz familjes.

“Po të kesh një protokoll që në 39 zero duhet bërë një ndërhyrje e tillë, detyrimisht shmanget. Shumë mjekë e dinë këtë, por për arsye individuale, e bëjnë këtë në 38 është mik me drejtorin, është në një parti me drejtorin, shefi pa e vrarë mendjen e ka firmosur, por në këtë rast pasojat jo vetëm për sistemin por edhe për individin. sepse ky person mund të ndodhë, përveç ngarkesës emocionale, humbjes së jetës apo dëmtimit të mëtejshëm, që e bëjnë të domosdoshëm krijimin e protokolleve, sepse të mbron në shumë drejtime”, u shpreh mjeku Edi Tushe.

Nga një hulumtim i Inside Story në faqet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore, Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor që ka nën varësi spitalet rajonale dhe shërbimin parësor ka të publikuar shumë pak protokolle. Në shumicën e rasteve ata operojnë me udhëzues ose manuale.

“Protokolli bëhet për tu zbatuar, udhërrëfyesi tregon rrugët se si mund të përfitojë në varësi të burimeve që ka”, u shpreh mjeku neonatolog Edi Tushe.

“Asnjë mjek i ri, ditën e parë të punës në një institucion shëndetësor nuk i vihen në dispozicion protokolle mjekësor, por nga ana tjetër edhe ky mjek nuk i kërkon këto protokolle sepse kemi të bëjmë edhe me një mungesë kulturë nga ana e vetë mjekëve. Nuk e di që shoqata e mjekëve mblidhen për të kërkuar dhe përditësuar protokollet e tyre”, u shpreh pedagogu i organizimit shëndetësor Qamil Dika.

Pavarësisht se ekspertët, mjekët dhe shoqatat e ndryshme mjekësore të kontaktuara nga Inside Story flasin për mungesë protokollesh të standardizuara edhe për diagnozat më të shpeshta, Ministria e Shëndetësisë thotë se çdo institucion shëndetësor ka protokollin e vet, sipas nivelit të shërbimit që ofron. Madje sipas ministrisë, ato duhet të jenë në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe shkencore, duke reflektuar praktikat më të mira klinike.

Mungesa e protokolleve ka sjellë amulli në sistemin tonë shëndetësor dhe ka bërë që mjekët të bëjnë siç dinë vetë, duke u bazuar eksperienca personale. Kjo shpesh sjell mbingarkesë të pacientëve me analiza apo ekzaminime. Kjo përbën një sjellje tipike të mjekëve për tu mbrojtur, por, ka cenuar besimin tek sistemi.

“Është e papranueshme që të veprojnë siç ata dinë, duhet ti unifikojmë sipas praktikave më të mira europiane së paku, pasi ne nuk mund të aderojmë përmes një sistemi kuturu ku secili bën siç di dhe siç mundet”, u shpreh pedagogu i organizimit shëndetësor Qamil Dika.

Protokollet përveçse garantojnë cilësi të lartë shërbimi, janë edhe dokumente që kanë vlerë ligjore. Pra, e bëjnë të detyrueshëm ofrimin e shërbimit ndaj pacientëve. Në të kundërt, spitalet mund të përballen me drejtësinë. Me sa duket pas kësaj klauzole fshihet edhe hezitimi për ti miratuar këto dokumente të rëndësishme. Megjithatë kjo nuk e ka penguar “Together for Life”, një organizatë që merret me të drejtat e pacientëve, që ti drejtohet disa herë gjykatës pikërisht me argumentin për mosrespektim të protokolleve. Në 4 prej tyre ata kanë fituar për shkak se ato nuk janë zbatuar ashtu siç duhet.

“Në rastin konkret kemi një shërbim të munguar, i vendosur falas me VKM nga shteti shqiptar implanti koklear, por jo vetëm ky. Ekzistojnë në letër por nuk janë të përkthyer në praktikë sa i takon kujdesit shëndetësor”, u shpreh drejtoresha e TFL Eglantina Bardhi.

Por, këto procese gjyqësorë janë shumë të vështira për tu fituar. Kjo vështirësi lidhet pikërisht me faktin se mungon një dokument i shkruar që duhet të jetë busulla e trajtimit mjekësor. Kështu, spitalet ia hedhin kollaj kur gabojnë. Këtu, nuk duhet të harrojmë edhe sfilitjet që prodhon sistemi i drejtësisë me zvarritjet dhe problemet e tjera.
“Mungesa e protokolleve apo paketave shëndetësore është një kosto e jashtëzakonshme që bie në kurriz të pacientëve. pasi nuk ka një dokument ligjor të miratuar dhe në gjykatë ne e kemi pasur të vështirë të vërtetojmë hallkat e munguara”, u shpreh Eglantina Bardhi.

“Mungesa e protokolleve mjekësore është simbol i korrupsionit në shëndetësi’, u shpreh kërkuesi shkencor Taulant Muka.

Mungesa e protokolleve mjekësore ka sjellë një kulture që shpesh i injoron standardet në emër të rehatisë, mungesës së burimeve apo thjesht indiferencës. Por kostot janë të shumëfishta.

“Unë jam pacient dhe shkoj tek një mjek, mjeku mund të bëjë me mua çfarë të dojë, pasi nuk ka pikërisht këtë përgjegjësinë ligjore që i detyron shteti të ndjekin një protokoll. Dhe nëse ndodh diçka negative ndaj meje unë nuk mund të padis shtetin sepse nuk ka përgjegjësi ligjore në atë që bën”, u shpreh Taulant Muka.

“Krijon mosbesim tek sistemi në disa mjekë. Praktikisht ka ndodhur kjo, sepse një mjek përdor këtë, një tjetër atë, ndërkohë që po të kishte protokoll të gjithë mjekët do të vepronin njësoj, duke krijuar një konflikt, dhe një çajre dhe amulli. krijojnë konfuzion”, u shpreh Edi Tushe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB