Inside Story/ Bizneset e Allajbeut paguhen 2-fish më tepër se shërbimi publik për Dializën. Çfarë ndodhi me hetimin e konkurrencës për ‘kartelin’?

24/12/2025 22:04

Shërbimi i dializës, zë mbi 62% të fondeve te financuara nga FONDI dhe transplantit të veshkave i cili zë 1%, ndërkohë që ofruesi me i madh është përherë Spitali Amerikan.

Gjatë vitit 2022, janë shpenzuar për paketat shëndetësore 3 miliardë lekë ose 30 milionë euro, nga të cilat rreth 15 milionë euro janë shpenzuar në spitalet publike. Dhe po aq kanë marrë spitalet private.

“Është bërë qartësisht për të financuar skemën private dhe për të lënë sistemin publik poshtë dhe krijuar disa mundësi financimi jashtë”, u shpreh u shpreh zv.dekani i Fakulteti të Mjekësisë Ilir Alimehemti.

Pikërisht duke iu referuar raportit ku është gjetur situatë dominuese në lidhje me disa shërbime të veçanta dhe ekskluzive, në prill të vitit 2025, autoriteti i konkurrencës njoftoi nisjen e hetimeve ndaj Spitalit Amerikan dhe spitalit Hygeia. Hetimet janë ende në vijim por të dhënat mbi kontrollin e tregut janë kokëfortë. Madje, duke lënë në duar të biznesmenit Allajbeu edhe ndërhyrje jetëshpëtuese si tromb-ektomia që cituam më sipër.

Favorizimi skandaloz i privatëve, vihet re edhe në çmimin e vendosur nga FSDKSH në ofrimin e shërbimit të dializës.

Siç edhe shihet në këtë dokument që është paketa e dializës, shteti I rimburson privatit 12.106 lekë për çdo seancë. Logjike do të ishte që po kaq do të kushtonte edhe në spitalin publik një seancë dialize.

Ky është një tender që QSUT ka hapur në vitin 2023, për blerjen e materialeve për dializën. Siç edhe shihet në këtë dokument zyrtar, një seancë dialize në sistemin publik kushton vetëm 6.110 lekë, pra dy here më pak se në privat.

“Çfarë do të ishte korrekte? Nëse ky kushton 1 lekë në publik dhe 2 lekë në privat, atëherë Fondi i Sigurimeve, rimburson 1 lekë dhe kush dëshiron të zgjedhë privatin, atëherë fut nga xhepi i vet 1 lek mungues”, u shpreh Ilir Alimehemti.

Ekspertët e shëndetësisë janë të bindur se kjo është një skemë korruptive e ngritur enkas për të favorizuar privatin.

“Në konkurrencë sa i përket efiçensës së fondeve do ia vlente ti sillnin në publik, sepse kushtojnë më pak para. Pse i çojnë në privat? Qartësisht për të lekun shtesë që jep Fondi dhe këtu përfitojnë shume njerëz . Duket se korrupsioni është shkaku dhe keqqeverisja është pasoja”, u shpreh Ilir Alimehemti.

Ata që janë pjesë e sistemit shëndetësor, e shohin me shqetësim situatën e protokolleve mjekësore edhe sa u përket spitaleve private. Sipas tyre, ndërsa u kërkohet llogari institucioneve publike, është e paqartë se çfarë ndodh në sistemin privat ku orientohen pacientët.

“Protokollet nuk janë vetëm për publiket, por edhe privatet. Institucionet private që nuk i zbatojnë duhet të ndëshkohen. Shoqata mjekësore janë të shumta, janë të varura nga politika dhe individuale duhet të presion tek sistemi për ato gjëra që duhet”, u shpreh Edi Tushe.

“Flasim për rritje të ndryshme të sektorit privat por nuk shohim që edhe private të ketë vëmendjen e duhur për ofrimin e protokolleve dhe standardeve më të mira për qytetarin në radhë të parë ai duhet të auditohet në mënyrë të padiskutueshme dhe ka disa momente”, u shpreh Qamil Dika, pedagog i organizimit shëndetësor.

“Është i njëjti mjek, që punon si në privat si në shtet, në privat ndoshta shikon ndonjëherë infrastrukturën më të mirë po trajtimi në vetvete është po ashtu pa një protokoll po sigurisht që ka edhe interesa ekonomik Brenda”, u shpreh kërkuesi shkencor Taulant Muka.

Mbi të gjitha, mungesa e protokolleve mjekësore u shërben interesave miliona euro të privatëve. Nëse një shërbim nuk është detyrues, pacientët janë orientuar qartësisht drejt spitaleve private të biznesmenit Klodian Allajbeu që kontrollon sot biznesin e jetës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB