Raportet SHBA–Serbi, Vuçiç i pakënaqur: Prisja më shumë nga Trump, kur u përballëm me vështirësi nuk morëm…
Ekspertët e të drejtave të njeriut të OKB-së dënuan të martën bllokadën detare të SHBA-së ndaj Venezuelës, duke e quajtur atë një “sulm të armatosur të paligjshëm” që shkel ligjin ndërkombëtar.
Në javët e fundit, SHBA-të kanë përshkallëzuar praninë e tyre ushtarake në Karaibe dhe kanë vendosur një bllokadë detare ndaj Venezuelës, të cilën e akuzojnë për financimin e “narkoterrorizmit”.
“Nuk ka të drejtë për të vendosur sanksione në mënyrë të njëanshme përmes një bllokade të armatosur”, thanë në një deklaratë ekspertët, të cilët punojnë nën mandatin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, por nuk flasin në emër të Kombeve të Bashkuara.
Kjo bllokadë, e vendosur ndaj anijeve cisterna nafte që konsiderohen subjekt i sanksioneve, përbën, sipas ekspertëve, një “përdorim të ndaluar të forcës ushtarake” kundër një shteti tjetër, sipas Nenit 2 të Kartës së OKB-së.
“Ky është një përdorim kaq serioz i forcës saqë njihet shprehimisht si një sulm i paligjshëm i armatosur brenda kuptimit të përkufizimit të sulmit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme në vitin 1974”, deklaruan më tej ata, duke treguar se kjo në parim i jep “shtetit viktimë të drejtën e vetëmbrojtjes legjitime”.
Kjo bllokadë vjen pas akuzave të bëra nga SHBA-të në nëntor kundër anëtarëve të qeverisë venezueliane, përfshirë presidentin e saj, Nicolas Maduro.
Sipas Uashingtonit, këta individë janë pjesë e një “organizate terroriste” të dyshuar të njohur si “Cartel de los Soles”. Ky kartel është një organizatë, ekzistenca e së cilës nuk është provuar ende, sipas shumë ekspertëve, të cilët argumentojnë se ka më shumë të ngjarë të jetë një rrjet korrupsioni i lidhur me aktivitete të paligjshme.
SHBA-të kanë sekuestruar tashmë dy cisterna nafte të dyshuara për transportim të paligjshëm të naftës venezueliane dhe, që nga shtatori, kanë bombarduar anije të akuzuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor, duke rezultuar në të paktën 105 vdekje.
“Sipas informacionit në dispozicion, asnjë nga njerëzit e vrarë deri më tani nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm që do të justifikonte përdorimin e forcës vdekjeprurëse”, vunë në dukje ekspertët.
“Këto ekzekutime përbëjnë shkelje të së drejtës për jetë. Ato duhet të hetohen dhe ata që janë përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë.
Në të njëjtën kohë, Kongresi Amerikan duhet të ndërhyjë për të parandaluar sulme të mëtejshme dhe për të hequr bllokadën”, vazhduan ata.
Dje, të martën, Venezuela, Rusia dhe Kina dënuan lëvizjet e Uashingtonit kundër Karakasit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në Këshill, ambasadori i Venezuelës akuzoi SHBA-në për “shantazhin më të madh në historinë tonë”.
Top Channel