Tarifat e Trump godasin whiskey-n, ndalohet prodhimi i bourbon-it të famshëm Jim Beam

22/12/2025 12:07

Prodhuesi i uiskit të famshëm bourbon Jim Beam ka njoftuar se do të ndalojë prodhimin në distilerinë e tij kryesore në Kentucky për vitin e ardhshëm.

Në një deklaratë për BBC-në, kompania bëri me dije se distileria do të qëndrojë e mbyllur përkohësisht, ndërsa do të shfrytëzohet koha për investime dhe përmirësime në infrastrukturë. “Ne vlerësojmë vazhdimisht nivelet e prodhimit për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës së konsumatorëve dhe së fundmi kemi diskutuar me stafin planet tona për vitin 2026”, theksohet aty.

Industria e bourbon-it në Kentucky, e njohur botërisht për këtë pije, po përballet me pasiguri, pjesërisht për shkak të politikave tregtare të presidentit amerikan Donald Trump. Marka Jim Beam është në pronësi të gjigantit japonez të pijeve Suntory Global Spirits, i cili punëson mbi 1,000 persona në Kentucky. Kompania theksoi se operacionet e tjera në shtet do të vazhdojnë normalisht, përfshirë një distileri tjetër, fabrikat e mbushjes dhe magazinimit, si edhe qendrën për vizitorë. Ndërkohë, Jim Beam po shqyrton mënyrën se si do të angazhojë fuqinë punëtore gjatë pauzës së prodhimit dhe është në bisedime me sindikatën e punonjësve.

Sipas Kentucky Distillers’ Association, në tetor u raportua se sasia e bourbon-it në magazina kishte arritur një nivel rekord prej mbi 16 milionë fuçish. Këto fuçi, të cilat tatohen nga shteti, u kanë kushtuar prodhuesve rreth 75 milionë dollarë këtë vit. Prodhuesit amerikanë të alkoolit janë goditur gjithashtu nga tarifat hakmarrëse pasi Trump shpalli të ashtuquajturën “Dita e Çlirimit”, kur SHBA vendosi tarifa ndaj shumicës së vendeve të botës.

Shoqata e distilerive theksoi se zgjerimi i industrisë gjatë dekadës së fundit ishte fokusuar te rritja globale dhe bëri thirrje për rikthimin e tregtisë pa tarifa reciproke. Edhe tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë kanë ndikuar negativisht, pasi shumica e provincave kanadeze bojkotuan pijet alkoolike amerikane më herët gjatë vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB