Emrat/ Tentuan të pengonin aksionin për hapësirat publike, dhunohen punonjësit e INUV dhe policisë, dy efektivë përfundojnë në spital

22/12/2025 12:57

Sot, rreth orës 12:20, Policia është njoftuar për një konflikt të ndodhur në zonën e njohur si Rrethrrotullimi i Nartës, në hyrje të qytetit të Vlorës.

Në konflikt janë përfshirë punonjës të INUV dhe tre shtetas, konkretisht Irfan Dalipaj, 58 vjeç, Drisild Dalipaj, 27 vjeç dhe Fabjo Dalipaj, 23 vjeç. Punonjësit e INUV kanë qenë në terren për të njoftuar bizneset për lirimin e hapësirave publike, por aty ka nisur edhe konflikti, ku fillimisht janë dhunuar punonjësit e INUV.

Në afërsi të vendngjarjes, dy punonjës të Qarkullimit Rrugor po kryenin shërbim të planifikuar dhe kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Gjatë ndërhyrjes, ata janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e përfshirë.

Në përpjekje për të ndalur sulmin dhe për të vënë situatën nën kontroll, njëri prej punonjësve të Policisë ka përdorur armën e shërbimit, duke qëlluar në ajër. Nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.

Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre, dy punonjësit e Policisë janë transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Punonjësit e Policisë, dy të rinjtë, kanë marrë plagë në kokë dhe në trup me sende të forta, ku frakturat duken qartë. Në spital ka mbërritur edhe drejtori i Policisë, i cili ka parë nga afër dy punonjësit e tij.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore, përfaqësues të Prokurorisë dhe AMP-së, të cilët po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB