Këshilli i Sigurisë Izraelite miraton ndërtimin e 19 vendbanimeve në Bregun Perëndimor, 69 kanë marrë dritën jeshile në vitet e fundit
I dërguari i Moskës në bisedimet për Ukrainën, Kirill Dmitriev, i ka cilësuar si “konstruktive” takimet e zhvilluara në Miami me përfaqësues të lartë të Shteteve të Bashkuara, duke njoftuar se negociatat do të vijojnë edhe të dielën.
Dmitriev, i dërguar special i presidentit rus Vladimir Putin, deklaroi për mediat ruse se bisedimet me të dërguarin presidencial amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner janë zhvilluar në një klimë pozitive. “Diskutimet po vazhdojnë në mënyrë konstruktive”, tha ai, sipas agjencive RIA Novosti dhe TASS.
Duke komentuar zhvillimet politike në SHBA, Dmitriev ashpërsoi tonet, duke akuzuar të ashtuquajturin “Shtet i Thellë” amerikan se po përpiqet të nxisë një konflikt global. Sipas tij, përhapja e asaj që e quajti “paranojë anti-ruse” në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar rrezikon të çojë drejt Luftës së Tretë Botërore.
Reagimi i Dmitriev erdhi pas deklaratave të Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, e cila hodhi poshtë raportimet se Rusia synon të marrë kontrollin e plotë të Ukrainës apo territoreve të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Dmitriev e përshëndeti qëndrimin e saj, duke e cilësuar atë si një ekspozim të asaj që ai e quajti “makineri luftënxitëse”.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se Uashingtoni ka propozuar një format takimi trepalësh mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë, që mund të zhvillohet gjithashtu në Miami. Ai shtoi se prania e vendeve evropiane do të ishte e mundshme dhe se një takim i përbashkët do të ishte “logjik”, pas vlerësimit të rezultateve të bisedimeve aktuale.
Në një zhvillim paralel, kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase, Kirill Budanov, deklaroi se Rusia mund të jetë gati të sulmojë vendet baltike në vitin 2027, një pretendim që rrit më tej tensionet mes palëve.
Top Channel