Bisedime sekrete në SHBA mes negociatorëve të Trump dhe Putin, në fokus plani i fundit i paqes i përpiluar nga Ukraina dhe udhëheqësit europianë

20/12/2025 07:57

I dërguari special i Presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, po udhëton për në Miami për t’u takuar me të dërguarin special të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndrin dhe këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, tha një burim qeveritar rus për Reuters.

Bisedimet, që pritet të zhvillohen në Miami gjatë fundjavës, vijnë pas negociatave në Berlin këtë javë të Wittkoff dhe Kushner me zyrtarë ukrainas dhe europianë, si pjesë e përpjekjeve për të gjetur një marrëveshje që do t’i japë fund luftës që shpërtheu në shkurt 2022. Të dy ishin planifikuar gjithashtu të takoheshin me negociatorin ukrainas Rustem Umerov dje në Miami.

Burimi në Moskë, i cili është në dijeni të detajeve të udhëtimit, tha se mundësia e takimit të Dmitriev me negociatorët ukrainas në Miami është përjashtuar.

“Nuk janë planifikuar kontakte trepalëshe me palën ukrainase”, shtoi burimi i Reuters.

Administrata Trump po përpiqet t’i japë fund luftës gati 4-vjeçare, por detyra e afrimit të pozicioneve të palëve ndërluftuese, Ukrainës dhe Rusisë, si dhe udhëheqësve të Bashkimit Europian, mbi çështje që variojnë nga anëtarësimi i mundshëm i Kievit në NATO deri te lëshimet e mundshme territoriale nuk është aspak e lehtë.

Witkoff dhe Kushner punuan me negociatorët e BE-së dhe Ukrainës për të hartuar një plan të ri dhe të rishikuar paqeje. Versioni fillestar i tekstit ishte kritikuar nga Brukseli dhe Kievi si shumë i favorshëm për Moskën.

Presidenca ruse tha më 12 dhjetor se ende nuk e kishte parë versionin e fundit të planit, i cili u rishikua me kontributin e zyrtarëve ukrainas dhe europianë.

Këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, i cili nuk po udhëton për në Shtetet e Bashkuara për bisedime, paralajmëroi se Moska mund të refuzojë disa nga propozimet e reja që përmban ai.

Kremlini këmbëngul se përjashtimi i çdo mundësie që Ukraina të bashkohet me NATO-n është një kusht themelor i negociatave.

Ushakov tha gjithashtu se një armëpushim në Ukrainë do të ishte i mundur vetëm pasi forcat e Kievit të tërhiqeshin nga i gjithë rajoni i Donbasit, duke nënkuptuar se trupat ruse nuk do të lëviznin në zona të tjera nën kontrollin e Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kujtoi më parë këtë javë se kundërshtimi i Rusisë ndaj vendosjes së trupave europiane në Ukrainë, të ofruara nga Perëndimi për Kievin si një nga garancitë e sigurisë në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme në të ardhmen nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara, është i njohur mirë për të gjitha palët, duke shtuar, megjithatë, se edhe kjo çështje mund të diskutohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB