Imazhe të pabesueshme nga moti i keq në Dubai dhe Abu Dhabi/ Rrugë të përmbytura dhe makina nën ujë, probleme me transportin dhe infrastrukturën
Presidenti rus, Vladimir Putin, e nisi paraqitje e tij vjetor duke folur me vetëbesim për pozicionin e Rusisë në fushëbetejë në luftën në Ukrainë dhe nuk dha asnjë sinjal se Moska është e gatshme të bëjë lëshime thelbësore për hir të paqes.
Ngjarja për rezultatet e vitit 2015, e mbajtur më 19 dhjetor përfshin një konferencë për media me pyetje nga qytetarët rusë, por që janë shqyrtuar paraprakisht.
Kjo ngjarje u zhvillua në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, po shtyn përpara përpjekje diplomatike për të ndërmjetësuar paqen, gati katër vjet pasi Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
“Trupat tona po përparojnë përgjatë gjithë vijës së kontaktit. Në disa vende me ritëm më të shpejtë, në të tjera më ngadalë. Por, në të gjitha drejtimet armiku po tërhiqet”, tha Putin vetëm pak minuta pas fillimit të paraqitjes së transmetuar nga televizonet në Moskë, që përcillet brenda dhe jashtë Rusisë për mesazhet që jepen mbi qëllimet e Kremlinit.
Kjo ngjarje e orkestruar shpesh zgjat për orë të tëra.
Putin vazhdimisht ka deklaruar muajt e fundit se Rusia ka epërsi në luftë dhe do të arrijë qëllimet e saj. Në deklarimet e tij në këtë ngjarje, nuk pati ndonjë sinjal ndryshim. Ngjarja qartazi synon të projektojë vetëbesim te shikuesit në Rusi, Ukrainë, Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.
“Jam i sigurt se deri në fund të vitit do të shohim suksese të reja” në fushëbetejë, tha Putin, përpara se t’i kthehej çështjeve të tjera.
Forcat ruse kanë përparuar gradualisht, duke goditur mbrojtjen e Ukrainës, e cila është në numër më të vogël dhe shpesh më pak e pajisur, në disa pika përgjatë vijës së frontit prej rreth 1.100 kilometrash.
Putin paraqiti një tablo veçanërisht optimiste të përparimeve të Rusisë, duke pohuar se trupat e Moskës pothuajse kishin marrë qytetin e Kupjanskut, në rajonin e Harkivit, duke rrethuar ushtarët ukrainas.
Ky pretendim është shumë i diskutueshëm. Forcat ukrainase kryen një kundërsulm ndaj forcave ruse muajin e kaluar dhe gjatë kësaj jave, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase deklaroi se Kievi kontrollon pjesën më të madhe të qytetit.
Putin gjithashtu theksoi përparimet ruse në Pokrovsk, një qytet në rajonin e Donjeckut që Moska e ka pasur prioritet për gati një vit dhe që rrezikon të bjerë nën kontrollin rus. Ukraina pretendon se ende kontrollon qendrën e qytetit dhe qarqet veriore.
Rusia prej muajsh iu ka rezistuar thirrjeve nga Kievi dhe Perëndimi për një armëpushim dhe e ka vështirësuar përpjekjen për paqe duke sinjalizuar se nuk është e gatshme për kompromis. Por, Putin sugjeroi se është Ukraina ajo që po i pengon përpjekjet për paqe, pjesërisht duke refuzuar të tërhiqet nga pjesa e rajonit të Donjeckut që ende mbahet nga trupat e saj.
“Ne nuk shohim gatishmëri nga Kievi për të ndalur këtë konflikt”, tha Putin.
Duke iu referuar përpjekjeve diplomatike që po vazhdojnë, ai shtoi se Moska sheh “disa sinjale”, përfshirë nga Qeveria e Ukrainës, “se ata janë të gatshëm për një lloj dialogu”.
Rusia, tha ai, është “e gatshme dhe ka vullnet t’i japë fund këtë konflikti në mënyrë paqësore” mbi bazën e kërkesave që i paraqiti në qershor të vitit 2024, kur deklaroi se Ukraina duhet të heqë dorë nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO dhe të tërheqë forcat e saj nga katër rajonet që Rusia i pretendon si të vetat: Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson.
Ai përsëriti qëndrimin se çdo marrëveshje paqeje duhet të trajtojë atë që ai i quan “shkaqet rrënjësore” të luftës, një referencë ndaj këtyre kërkesave dhe kushteve të tjera që, nëse zbatohen, do t’ia hiqnin Ukrainës sovranitetin dhe aftësinë për t’u mbrojtur nga agresione të mëtejshme.
Putini nisi fjalimin në Moskë disa orë pasi Bashkimi Evropian dështoi të arritje marrëveshje për përdorimin e asteve të ngrira ruse për të mbështetur nevojat ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës në vitet në vijim. Megjithatë, BE-ja u pajtua që t’i ofrojë Kievit një kredi pa interes prej 90 miliardë eurosh.
Rusia e ka kundërshtuar planin për astet ruse dhe tha se do t’i mbrojë interesat e saj edhe nëpër gjykata, nëse BE-ja i rikthehet këtij plani në të ardhmen. /REL
Top Channel