“Po, jam i dashuruar”/ Putin shokon me përgjigjen e tij, media britanike ngre hipotezën e bujshme: Për cilën nga të dashurat e ka

19/12/2025 21:15

Presidenti rus Vladimir Putin ka shkaktuar reagime dhe spekulime të shumta pasi deklaroi publikisht se është “i dashuruar”, pa zbuluar identitetin e personit për të cilin bëhet fjalë.

Deklarata u bë gjatë seancës vjetore të pyetje-përgjigjeve në fundvit, në një intervistë me moderatoren Regina Orekhova për median ruse “360°”.

I pyetur drejtpërdrejt për jetën e tij personale, 73-vjeçari u përgjigj shkurt: “Po”, duke shtuar se kjo përgjigje “mbyll pjesën e fundit të pyetjes”. Putin nuk dha asnjë detaj tjetër, duke lënë hapësirë për interpretime dhe diskutime të shumta në opinionin publik.

Prej vitesh, jeta private e presidentit rus ka qenë objekt spekulimesh, pasi ai njihet për diskrecionin ekstrem në këtë aspekt. Sipas asaj që shkruan The Sun, kritikët kanë aluduar prej kohësh për një marrëdhënie të mundshme me ish-gjimnasten olimpike Alina Kabaeva, por Kremlini nuk ka konfirmuar kurrë zyrtarisht këto pretendime.

Deklarata e Putinit ka nxitur teori të ndryshme mbi arsyen dhe kohën e saj. Disa analistë mendojnë se ai mund të jetë duke tentuar të zbusë imazhin e tij publik, duke shfaqur një anë më personale dhe njerëzore. Të tjerë besojnë se bëhet fjalë për një koment të qëllimshëm, pa synim për zbulime konkrete.

Putin është divorcuar nga ish-bashkëshortja e tij Lyudmila në vitin 2014, pas një martese shumëvjeçare, dhe që atëherë ka refuzuar vazhdimisht të flasë për jetën e tij sentimentale. Vetë ai ka theksuar disa herë se jeta private duhet të respektohet dhe të mos jetë objekt ndërhyrjeje.

Pavarësisht heshtjes zyrtare, deklarata e fundit ka rikthyer vëmendjen mbi një aspekt të rrallë të liderit rus, duke nxitur debat si brenda Rusisë, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

FOTO GALERI
1/5
Putin dhe Alina Kabaeva, e dashura sekrete prej një kohe të gjatë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB