Mbledhja e Këshillit të Mandateve me dyer të mbyllura, reagon Gazment Bardhi: U bë për të fshehur të vërtetën, mbështetje e plotë për kërkesën e SPAK

19/12/2025 18:53

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar sa i përket mbledhjes së Këshillit të Mandateve me dyer të mbyllura.

Ai u shpreh se u bë për të penguar drejtësinë dhe të vërtetën dhe se shpreh mbështetje të plotë për kërkesën e SPAK.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve për rastin “Balluku-Rama” u bë për të fshehur të vërtetën, për të fshehur pengimin e drejtësisë që po bën Edi Rama dhe për të prodhuar lajme të rreme.

Qëndrimi i PD në mbledhje ka qenë i qartë:

  1. Mbledhja duhet të jetë e hapur për publikun, ku secili deputet të jap llogari për qëndrimin e tij.
  2. Mbështetje e plotë për kërkesën e SPAK dhe miratimi sa më parë i autorizimit.
  3. Deputetët dhe e pandehura të kenë vetëm 3 ditë kohë për njohjen e provave, të cilat na u dhanë vetëm sot. 3-5 ditë kohë kërkoi edhe Prokuroria e Posaçme.
  4. Mbledhja e ardhshme e Këshillit të bëhet të hënën, datë 22 Dhjetor 2025, ku Këshilli të rekomandojë dhënien e autorizimit për arrestim.

Edi Rama vendosi që të zvarrisë çështjen, duke e mbyllur mbledhjen pa caktuar një datë të mbledhjes së ardhshme. Kjo përbën PENGIM TË DREJTËSISË. Prokuroria konfirmoi se e pandehura Belinda Balluku po prish provat, duke intimiduar dëshmitarët. Është çështje e ngutshme miratimi i autorizimit nga ana e Kuvendit.

Anëtarët e opozitës do të kërkojnë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, në fillimin e javës së ardhshme, për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën për autorizim të Prokurorisë së Posaçme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB