“Lufta kundër regjimit të Maduros, një opsion”/ SHBA rrit presionin ndaj Venezuelës, Trump: Nuk e përjashtoj mundësinë

19/12/2025 22:19

Presidenti amerikan Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë kanë refuzuar të përjashtojnë mundësinë e një konflikti të hapur me Venezuelën.

Sipas The Guardian presidenti Nicolás Maduro ka urdhëruar marinën venezueliane të shoqërojë tankerët e naftës që sfidojnë flotën më të madhe amerikane të dislokuar në rajon në dekadat e fundit.

Në një intervistë, Trump tha se lufta kundër regjimit të Maduros mbetet një opsion i mundshëm.

“Nuk e përjashtoj, jo,” u shpreh ai.

Paralelisht, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA rezervon të drejtën të përdorë çdo element të fuqisë kombëtare për të mbrojtur interesat e saj.

Deklaratat vijnë në një kohë kur SHBA ka intensifikuar operacionet detare kundër të ashtuquajturës “flotë e errët” të Venezuelës, pas sekuestrimit të një tankeri të sanksionuar pranë brigjeve të vendit.

Ekspertët vlerësojnë se bllokada detare rrit presionin mbi Maduros, duke kufizuar të ardhurat nga eksporti i naftës, veçanërisht drejt Kinës.

Ndërkohë, Trump nuk pranoi të thotë nëse rrëzimi i Maduros është objektivi përfundimtar i ofensivës ushtarake, e cila është përshkallëzuar gjatë katër muajve të fundit, me rreth 15 mijë trupa amerikane të pozicionuara pranë Venezuelës.

Sipas raportimeve, sulmet ndaj anijeve në Karaibe dhe Paqësor kanë shkaktuar mbi 100 viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB