Qeveria ka hedhur për konsultim dhe miratim një paketë prej tre projektligjesh të ndërlidhura, që synojnë të forcojnë kontrollin mbi territorin, të mbyllin ciklin e ndërtimeve pa leje dhe të rrisin eficiencën në administrimin e pasurive të konfiskuara.
Projektligji i parë parashikon një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si inspektohet territori. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe strukturat vendore shkrijnë kompetencat në një institucion të vetëm të ri: Inspektorati Qendror i Territorit, Mjedisit dhe Pyjeve, me varësi qendrore dhe degë rajonale. Qëllimi është një kontroll i unifikuar, më i pavarur dhe më efikas ndaj ndërtimeve pa leje.
“Ky riorganizim synon rritjen e kapaciteteve inspektuese, profesionalizimin e trupës, rritjen e pavarësisë funksionale si dhe garantimin e një procesi inspektimi të besueshëm, të integritetshëm dhe të mbrojtur nga ndikimet e jashtme. Struktura e re pritet të sigurojë zbatimin e një qasjeje të unifikuar dhe të standardizuar në kontrollin e territorit.”, thotë Ministria e Brendshme.
Ky ligj lidhet drejtpërdrejt me projektligjin e dytë të publikuar nga Ministria e brendshme, që rishikon administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje. Risi kryesore është kalimi në një model të centralizuar, ku Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) bëhet autoriteti i vetëm përgjegjës. Objektet e konfiskuara nuk do të mbeten më të bllokuara apo të amortizuara, por do të përdoren për interes publik, strehim social ose do të shiten përmes ankandit. Për herë të parë krijohet edhe një Regjistër Elektronik publik, që garanton transparencë të plotë.
“Efektet e pritshme nga zbatimi i këtij projektligji janë krijimi i procedurave më të shpejta, më të qarta dhe më të kontrollueshme, rritja e të ardhurave nga shitja dhe përdorimi publik i objekteve, shmangia e konflikteve ndërinstitucionale, forcimi i sigurisë juridike për pronarët dhe institucionet, si dhe garantimi i një niveli maksimal transparence për publikun.”, shton më tej Ministria.
Bashkëngjitur ministria ka publikuar dhe një projektligj të tretë i cili zgjeron më tej rolin e Agjencisë e cila do të përfshijë në administrim jo vetëm pasuritë e konfiskuara nga gjykatat, por edhe ato të konfiskuara nga pushteti vendor, përfshirë ndërtimet pa leje. Një risi e rëndësishme është përfshirja e monedhave virtuale si pasuri e konfiskueshme dhe krijimi i një fondi të posaçëm të dedikuar, që do të përdoret për përfundimin, rikualifikimin ose funksionalizimin e objekteve të paligjshme.
Top Channel