Aq shqiptarë sa jetojnë në territorin shqiptar, thuajse po aq jetojnë jashtë.
Në vitin 2025, sipas vlerësimeve të tërthorta nga Instituti i Statistikave, numri i diasporës së re të larguar që nga vitet 90’ llogaritet të jetë rreth 2.256. 346 shtetas jashtë vendit ose rreth 49% e shqiptarëve gjithsej, krahasuar me të dhënat e censit të popullsisë që zbuloi se në Shqipëri janë 2.402.113 banorë.
Studimi i shifrave të diasporës nxjerr në pah një popullsi relativisht të re në emigrim, me grupmoshën 15-64 vjeç që zë peshën kryesore, më pas janë fëmijët deri në 14 vjec me 18% dhe shtetasit mbi 65 vjeç, afërsisht 5 %.
“Stoku prej 1.177.529 individë janë meshkuj dhe 1.078.817 janë femra. Raporti tregon një diasporë me profil të ri, ekonomikisht aktive dhe me potencial të lartë kontributi në tregjet e punës të vendeve pritëse”.
Ndryshe nga diaspora e hershme që udhëtonte drejt SHBA ku shqiptarët e parë që udhëtuan ishin arbëreshët, të dhënat e fundit tregojnë se diaspora e re në bazë të shtrirjes gjeografike preferon më shumë Europën. Komuniteti më i madh i emigrantëve shqiptarë ndodhet në Greqi.
Por gjithashtu edhe në Itali, Gjermani, Francë, si dhe Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë vitit 2024, sipas Eurostat, Italia, Greqia dhe Gjermania janë vendet me përqëndrimin më të madh të shqiptarëve me leje qëndrimi për arsye të ndryshme, ku 47,6 % e lejeve të qëndrimit në 27 vendet e BE-së, janë për arsye të bashkimit familjar, ndjekur nga arsyeja për punësim me 29,1 %.
Faktorët nxitës të largimit lidhen kryesisht me arsyetimin se janë në kërkim të mundësive më të mira ekonomike dhe motive të tjera të rëndësishme përfshijnë arsyet familjare (16 %) dhe arsimin (6).
Top Channel