Furnizimi me ushqim në Gaza po përmirësohet, ekspertët e OKB-së: 100,000 njerëz ende në kushte të rënda

19/12/2025 17:14

Ekspertët e sigurisë ushqimore të mbështetur nga Kombet e Bashkuara (OKB) kanë njoftuar se furnizimi me ushqim në Gaza ka filluar të përmirësohet që nga shpallja e armëpushimit, por ende 100,000 njerëz po përjetojnë kushte “katastrofike” të pasigurisë ushqimore.

Sipas analizës së fundit, gjysmë milioni banorë të Gazës vazhdojnë të përballen me kushte emergjente të urisë, ndërsa rreth një katërta e popullsisë është ende në nevojë të madhe për ndihma ushqimore.

Klasifikimi i Integruar i Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC) tregon se, përkundër përmirësimeve të mundshme pas armëpushimit të tetorit, 100,000 banorë janë ende në nivelin më të lartë të pasigurisë ushqimore, “Faza 5” që përfaqëson urinë dhe katastrofën. Raporti thekson se situata mbetet e brishtë dhe ende ka nevojë për mbështetje të mëtejshme për të parandaluar përkeqësimin.

Megjithatë, pas armëpushimit, agjencitë humanitare kanë arritur të rrisin dërgesat e ushqimit dhe furnizimet janë rritur, por numri i ndihmave nuk ka arritur ende nivelet e nevojshme për të mbuluar kërkesat urgjente të popullsisë. Një analizë tjetër tregon se asnjë zonë e Gazës nuk është më në “Uri”, që është një përmirësim, por edhe një shenjë se nevojat mbeten të mëdha.

Në përgjigje të këtyre rezultateve, Izraeli ka hedhur poshtë gjetjet, duke thënë se raporti është i “shtrembëruar qëllimisht” dhe nuk pasqyron realitetin në Gaza. Sipas autoriteteve izraelite, sasia e ndihmave humanitare që hyjnë në Gaza çdo javë tejkalon nevojat e caktuara nga OKB-ja, duke e konsideruar raportin të pasaktë për shkak të boshllëqeve në mbledhjen e të dhënave.

Në Gusht, IPC kishte identifikuar një gjendje katastrofike për rreth 500,000 banorë të Gazës, duke e klasifikuar atë si një krizë globale të urisë. Që nga shpallja e armëpushimit në tetor, ka pasur disa përmirësime në shpërndarjen e ndihmave ushqimore, por të dhënat e fundit tregojnë se ende është nevojë për më shumë ndihma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB