Drogoi, përdhunoi dhe filmoi gruan e tij për vite me radhë, dënohet me 8 vite burg 61-vjeçari në Gjermani

19/12/2025 16:07

Një drejtor shkolle 61-vjeçar në Gjermani është shpallur fajtor për drogimin, përdhunimin dhe videoregjistrimin e gruas së tij, në një rast të ngjashëm me atë të Dominique Pélicot në Francë.

Konkretisht, sipas CNN, Fernando P. u shpall fajtor për drogimin dhe përdhunimin e përsëritur të gruas së tij në shtëpinë e tyre, regjistrimin e incidenteve në video dhe ndarjen e tyre në internet, pa dijeninë e viktimës. Ai u dënua me 8 vjet e 6 muaj burg pas një gjyqi në një gjykatë në Aachen, Gjermaninë perëndimore.

Gjykata tha se burri shkeli “sferën më intime të privatësisë dhe të drejtave personale me regjistrime audio në 34 raste, duke përfshirë në 4 raste në kombinim me përdhunim dhe dëmtim të rëndë trupor”. Ai u dënua gjithashtu për shtrëngim seksual dhe sulm seksual.

Edhe pse u akuzua për krime që shtriheshin në një periudhë prej gati 15 vitesh, gjykata e shpalli fajtor për vepra penale midis viteve 2018 dhe 2024. Ai u lirua nga disa akuza të tjera, detajet e të cilave nuk janë bërë publike.

Vendimi vjen saktësisht një vit pas dënimit të francezit Dominique Pélicot, i cili rekrutoi dhjetëra të huaj nga dhomat e bisedave për të përdhunuar dhe abuzuar me gruan e tij të atëhershme, Giselle.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB