Dita e parë në detyrë, Klodian Braho nis punën pa ceremoni, përballet në Kuvend me dosjen “Balluku”

19/12/2025 15:22

Krah kolegut që ka hetuar Belinda Ballukun dhe gati për t’u përballur me politikën.

Dita e parë e kryeprokurorit të ri të SPAK-ut nisi kështu. 19 dhjetori i Klodian Brahos si kryeprokuror, ishte pa bujën e ceremonive por me peshën e një mandate tre vjeçar që siç kuptohet e gjeti me mëngë të përveshura. Puna e tij e parë me politikën.

Duke ju bashkuar Dritan Prençit, prokurorit që ka hetuar zv.kryeministren Belinda Ballukun dhe po ashtu Dorina Bejkos që u bë pjesë e grupit hetimor gjatë hetimeve, kryeprokurori i ri i SPAK, Klodian Braho  tregoi me këtë se e mbajti fjalën e parë, atë se të gjithë prokurorët e posaçëm do ta kenë mbështetjen e tij si numri një i Strukturës së posaçme që heton korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Mesazhi që kryeprokurori Braho ka dhënë në KLP është, zgjidhja më e lehtë gjendet tek zbatimi i ligjit dhe kjo nënkupton ditë të vështira për shkelësit që janë nën kompetencë të SPAK. Si një prokuror që ka drejtuar departamentin për hetimin e korrupsionit, kryeprokurori i ri i SPAK, Braho, njihet për rekordet hetimore ndaj funksionarëve të lartë, por edhe në fushën e krimit të organizuar.

Prezantimi  zyrtar me 19 kolegët e tjerë kryhet të hënën, pasi anëtarët e këshillit gjenden në një vizitë në Spanjë. Ai do të prezantohet si kryeprokurori i tretë, pas Arben Krajës dhe Altin Dumanit.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB