Administrata Trump mban “fjalën”, nis publikimi i dosjeve Epstein/ Çfarë pritet të ndodhë në SHBA

19/12/2025 22:30

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur publikimin e të ashtuquajturave “dosjet Epstein”, pas muajsh debatesh politike, presioni publik dhe përpjekjesh për të shmangur vëmendjen mbi lidhjet e Presidentit Donald Trump me financierin dhe të dënuarin për trafik seksual, Jeffrey Epstein.

Publikimi vjen pasi zëvendësprokurori i përgjithshëm, Todd Blanche, deklaroi se gjatë së premtes do të bëhen publike “disa qindra mijëra dokumente”, duke lënë të kuptohet se një pjesë e materialeve mund të mbahen përkohësisht konfidenciale për arsye që lidhen me mbrojtjen e viktimave. Sipas tij, dokumente të tjera pritet të publikohen gjatë javëve në vijim.

Ndërkohë, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve, të udhëhequr nga Robert Garcia dhe Jamie Raskin, kanë reaguar ashpër ndaj vonesave në publikimin e plotë të dosjeve, duke e cilësuar këtë si shkelje të ligjit federal dhe duke paralajmëruar ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore.

Skandali Epstein ka dominuar prej muajsh skenën politike në Uashington, veçanërisht që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë. Çështja ka përçarë bazën konservatore dhe ka nxitur akuza për një përpjekje të mundshme “mbulimi” nga aktorë të ndryshëm politikë.

Një pjesë e dokumenteve më të shumëpritura lidhet me marrëdhënien mes Trump dhe Epstein, të cilët kanë qenë miq për vite me radhë përpara se të prishnin raportet. Epstein u vetëvra në vitin 2019 në një burg të Manhatanit, teksa priste gjyqin për akuza federale për trafik seksual.

Donald Trump nuk akuzohet për ndonjë shkelje ligjore në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, janë ngritur pikëpyetje mbi natyrën e marrëdhënies së tij me Epstein, momentin e prishjes së saj dhe nivelin e dijenisë së tij mbi veprimtarinë kriminale të financierit. Trump dhe bashkëpunëtorët e tij kanë mohuar vazhdimisht çdo dijeni apo përfshirje, dhe deri më tani nuk ka prova që ta lidhin atë me rrjetin e trafikimit të Epstein.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB