Denoncimi i Fiks Fare/ Zhvatësit e nëntokës largohen nga Shqipëria, xhiruan miliona euro dhe s’paguajnë punëtorët

18/12/2025 21:22

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes kompanitë nënkontraktore që kanë punuar në fushën naftë mbajtëse Patos – Marinzë, e dhënë me koncesion firmës “Bankers”, të cilat pasi xhiruan dhjetëra miliona euro, tashmë kanë filluar të largohen, duke lënë në mëshirë të fatit punëtorët. Këto firma kanë shfaqur probleme në pagesat, nuk u paguajnë statusin apo suplementin që u takon punonjësve me ligj.

Këto firma justifikohen se s’kanë dijeni nëse duhet t’u paguajnë statusin apo suplementin, ndërkohë që edhe institucionet shtetërore Inspektoriatet e Punës apo Sigurimet Shoqërore, as nuk i kontrollojnë. Këto janë një rrjet firmash të lidhura me koncesionarin, “Bankers”, të cilat kanë filluar të shfaqin probleme, menjëherë pas hetimeve të SPAK-ut.

Ndërprerja e rubinetit nga firma mëmë ka sjellë gjithë këto probleme, teksa punëtorët u futën në një grevë disa muaj më parë. Kërkesat e tyre ishin të thjeshta, trajtim sa më dinjitoz në punë, pagë më e mirë, pagesa e suplementit dhe statusit.

“Kanë krijuar një grup të madh nënkontraktorësh. U rrisin pagat punëtorëve të huaj dhe shqiptarët i paguajnë me çikërrima. Ne kërkojmë trajtim të barabartë”, thanë punëtorët, gjatë kohës që ishin në grevë.

Greva përfundoi disa muaj më parë, por jo problemet! Në redaksinë e Fiks Fare është ankuar një 35 vjeçar, i cili ka punuar 10 vite në një kompani në naftë “Weatherford” ltd.

“Unë bëja një punë te sonda, te puset. Merrej me shërbime te puset. Ishte nënkontraktore dhe merrej me koncesionarët. Firma kishte pronar të huaj. Administrator ka qenë një italian. Unë kam punuar nga 2014 deri në 2024. Këta kanë lënë pa paguar statusin. Në bazë të ligjeve duhet t’a kishin paguar”, pohon qytetari.

Ai shton se ka pyetur administratorët e firmës dhe ata i kanë thënë që “nuk dimë se ku t’a paguajmë”. “Statusi është 5 % të pagës, 2 duhet t’i paguaj punëmarrësi (punëtori) dhe 3 % duhet ti paguajë punëdhënësi (firma). Ne s’jemi lajmëruar asnjëherë që duhet t’i paguajmë, as nga institucionet shtetërore” shton punëtori.

Ai thotë se çuditet me faktin se ai problem s’është vetëm te ai, por problemi ka ndodhur në të gjithë fushën. Asnjë se paguan!

Fiks Fare ka mësuar se statusin dhe suplementin s’e paguan as firma e madhe koncesionare. “I jam drejtuar Sigurimeve Shoqërore, dhe më thanë se patjetër që duhet t’i paguajë statusin. Deri tani s’i ka paguar.

Nëse paguhet statusi, del pension më i lartë. Punon në vend tjetër dhe merr atë statusin 15 vjet të naftës dhe del edhe më shpejt në pension. Nëse një individ në punë tjetër del 65 vjeç, ai del 60 vjeç. Pensioni del më i lartë dhe përfiton edhe vitet” vijon punëtori.

Fiksi e pyeti nëse firma është apo jo aktive, teksa përgjigjet se aktualisht i kanë mbyllur zyrat që kanë pasur në Fier. “Firma është aktive vetëm në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me letra. Por s’i kryen më shërbimet në terren.

Ne kemi punuar në vendburimin Patos – Marinzë, te koncesionari, firma ‘Bankers’. Firma që ai ishte i punësuar  ‘Ëeatherford’ ltd ishte nënkontraktor. Shkëputja e kontratës nga koncesionari te nënkontraktori solli këto probleme dhe pothuajse të gjithë punonjësit janë larguar nga puna” përfundon qytetari.

Pas ankesës, qytetari shkon te Sigurimet Shoqërore në Fier për të pyetur nëse firma e ka paguar apo jo statusin.

Punonjësi kontrollon në sistem dhe i thotë “jo, s’e kanë paguar”. Qytetari e pyet nëse s’e kanë paguar për të, apo për të gjithë punonjësit. Ai i thotë se “për të gjithë, asnjë s’ka paguar”.

Fiks Fare ka mësuar se, krahas kësaj firme, probleme ka shfaqur një tjetër kompani “Petro Solution”. Punëtorët e kësaj firme s’kanë marrë pagat e muajit nëntor. Janë sërish firma që të ardhurat e vetme i kanë nga “Bankers”, të cilat janë paguar rregullisht dhe në vlera që kapin shifrën e dhjetëra miliona eurove.

“Janë këto firma që kanë zhvatur te ‘Bankers’. E mori një kinez para 3 vitesh dhe bënte punime po te kinezët. Kanë qenë të njëjtë”, pohon punonjësi.

Mësohet se, firma merret me aktivitete gjeologjike, teknologji e pasurimit të prodhimit, prerje dhe shpim në sektorin e naftës. Kompania ka qenë prej disa vitesh në Shqipëri, e themeluar nga Ramil Kimurov, një 30 vjeçar nga Kazakistani.

Më pas ky person, në muajin shkurt të vitit 2023, ia shet kompaninë një firme nga Kina, me një vlerë prej 100 mijë eurosh. Në dokumentet e QKB-së rezulton se firma në fjalë, pas ndryshimit të pronarëve, ka xhiruar miliona euro dhe fitime qindra mijëra të tjera.

Gazetarët bisedojnë me Dritan Shahun, kryetar i Sindikatës të Sektorit Hidrokarbur. Ai thotë se në dijeninë e tyre disa nga këto firma koncesionare që kanë marrë vendburimet e naftës nuk e zbatojnë fare ligjin e statusit. “Këto kompani nuk paguajnë pagesën në shtet që bëhen për përfitime për shkak të profesionit edhe pagesën që bëhet për suplementarin se janë dy pagesa të ndryshme që bëhen.

Nuk paguhet pagesa 5 % për afekt statusi, e cila ndahet në 3 % që duhet t’a paguajë punëdhënëse dhe 2 % punëmarrësi, gjithashtu edhe suplementari që ndahet në 2.5 % të pagës punëdhënësi dhe 2.5 % të pagës nga punëmarrësi” pohon ai.

Më tej pohon se, Sindikata i ka bërë disa kërkesa Sigurimeve Shoqërore dhe Inspektoriatit të Punës, apo edhe vetë kompanive. “Inspektoriati duhet të bëjë kontroll.

Ne kemi bërë këto tubimet e grevës për disa ditë me radhë dhe një nga problemet ka qenë dhe statusi, Inspektoriati duhet të bëjë detyrën e vetë. Të bëjë konstatime dhe të tregojë që statusi nuk paguhet dhe duhet pagur sipas ligjit. Nuk zbatohet ligji” thotë ai.

Në fund thotë se “kompanitë kanë thënë që nuk gjejmë përshtatje te ligji, por nuk është e vërtetë se ka kompani që e paguajnë”. Sipas tij, ka kompani dhe private dhe shtetërore që e paguajnë, siç janë “Albpetrol” apo kompania tjetër “Ani Oil” që ka filluar tani së fundmi duke e paguar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB