Sali Berisha ka mbledhur këtë të mërkurë Këshillin Kombëtar të PD.
Gjatë deklaratës së tij para mediat nga selia e PD, Berisha e nis me akuza për Edi Ramën, duke rithënë se zgjedhjet e 11 Majit nuk i ka fituar dhe se ishin një farsë.
“Nëse Rama mendon se fitoi zgjedhjet, mashtron veten dhe është i mashtruar. Në rast se përdor bandat më të rrezikshme të Europës, dhe u jep atyre listën për 28 deputetë, ato nuk janë zgjedhje, por janë farsë”, tha Berisha.
Kritikave se nuk e ka mbledhur Kryesinë, Berisha tha se e ka mbledhur, por vëmendja ka qenë më shumë te mbrojtja e votës. Ndërkohë sot njoftoi se sërish do të shtyhet debati për rezultatin në zgjedhje, pasi sipas tij është emergjente që të fokusohet te përgjigjja që duhet t’i japin qeverisë për ta rrëzuar.
“Kryesinë ne e kemi mbledhur, thash ka qenë një kohë e vendimeve të pakta se përqendrimi jonë ka qenë në mbrojtjen e votës. Në gjithë këtë situatë PD qëndroi dhe do qëndrojë fuqishëm.
Kjo mbledhje, për të qenë të sinqertë, duhej të ecte në këtë drejtim, por detyrohemi për shkak të situatës emergjente të krijuar, një agjendë të parashikuar për sot, ta shtyjmë për një mbledhje tjetër dhe të përqendrohemi në përgatitjen e përgjigjes që duhet t’i japim ne kësaj kalbësire, kësaj organizate kriminale, tani është radha jonë, ora jonë”, tha Berisha.
Sipas liderit të demokratëve, lipset fillimi i grevave dhe demonstratave deri sa Edi Rama do të japë dorëheqjen, duke thënë se do të bëjnë protesta edhe jashtë vendit.
“Jemi këtu, jemi në emergjencë, jemi në provën e guximit tonë. Nuk ikën ai. Po nuk u ngritëm ne… Ai do vazhdojë: ‘Unë udhëheqësi i Reformës’. ‘Unë me 84 vota’, që na i vodhi ne. Jo, kësaj radhe do flasim ne. Kjo është prova jonë e madhe. Përsëri, besimi i shqiptarëve është te ne. Sepse po të mos na shihte, nuk na votonte fare, na shuante.
A kemi bërë ne përpjekjen finale për rrëzimin e tij? Jo, nuk e kemi bërë. Kemi bërë shumë protesta. Mirë kemi bërë. Kemi treguar ‘muskujt’. Kemi bërë lëvizje. Nuk ishin ato që e rrëzonin Edi Ramën. Edi Ramën e rrëzon ajo lëvizje që shkon aty dhe nuk shqitet. Dhe ne do e bëjmë këtë lëvizje, me greva, demonstrata, me të gjitha format. Tani jemi me të drejtën e Zotit. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i ka dhunuar. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i bëri farsë. Kemi përpjekjet e tij të çmendura për të kontrolluar gjithçka në këtë vend”, tha ndër të tjera Berisha.
Kreu i PD tha se është koha që ata të spostohen në një orbitë të re.
“Rama është i aftë për grusht shteti… c’grusht shteti se ai i ka të gjitha pushtet, por është i aftë që dhe këtë përpjekje që po bën drejtësia, ta asgjësojë…. Thirrja ime është të spostohemi në një orbitë të re, thirrje për guxim, kreativitet, për të gjitha format e rezistencës dhe ju garantoj se në mënyrë më të pashmangshme fitorja është e PD”, tha Berisha.
Ndërkohë të tijve u bëri thirrje për të dalë në terren dhe të mbledhin sa më shumë qytetarë për protestën e 22 dhjetorit.
“Ju lutem të angazhoheni me qytetarët këto ditë që kanë mbetura, dhe për ndonjë që thotë si ‘t’ia bëj se s’po vjen ku s’po vjen ai’, i them hajde vetë dhe lerë atë që s’vjen dhe gjej dikë tjetër që vjen, është koha e guximtarëve”, tha Berisha.
Top Channel