Emrat/ Goditet grupi kriminal që shiste armë zjarri në Kamëz, arrestohen dy anëtarët e bandës, në kërkim një tjetër
Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, si pjesë e një operacioni antidroge të karabinierëve
Sipas hetuesve, Prokuroria Antimafia e Barit e ka konsideruar Shaban Shima-n si organizatori kryesor i një rrjeti të strukturuar të trafikut të kokainës dhe hashashit në Itali.
Operacioni çoi në arrestimin e 24 personave, të akuzuar për trafik të organizuar të lëndëve narkotike, ndërsa numri i përgjithshëm i të hetuarve është 35.
Aktiviteti kriminal shtrihej në Foggia dhe provincë, si edhe në Emilia-Romagna, Rieti dhe Molise, duke përfshirë shtetas italianë, shqiptarë, rumunë dhe gjeorgjianë.
Sipas dosjes hetimore, rrjeti i drejtuar nga Shima ishte në gjendje të shpërndante deri në 40 mijë doza droge në muaj, me fitime që arrinin rreth 200 mijë euro.
Droga furnizohej dhe shpërndahej përmes një organizimi të qëndrueshëm, me role të ndara dhe kanale të sigurta transporti.
Hetimet kanë dokumentuar lidhje të drejtpërdrejta me klanin Trisciuoglio-Tolonese, përmes Rocco Soldos, dhëndrit të bosit Raffaele Tolonese, aktualisht në liri.
Takimet dhe bisedat për trafikun e drogës zhvilloheshin në një klub në Piazza Padre Pio në Foggia, i konsideruar nga hetuesit si pikë referimi e klanit.
Me vendim të gjyqtares për hetimet paraprake, u urdhërua burgimi për 19 persona dhe arresti shtëpiak për 5 të tjerë.
Gjatë hetimeve u zbulua përdorimi i automjeteve me ndarje të fshehta, telefonave të koduar dhe kanaleve të konsoliduara për transferimin e parave drejt Shqipërisë. Në një rast u sekuestruan 40 mijë euro cash.
Autoritetet dokumentuan gjithashtu një sekuestrim prej 2 kilogramësh kokainë me origjinë nga Bolivia, duke konfirmuar nivelin e lartë të organizimit dhe cilësinë e lëndës narkotike të trafikuar.
Paralelisht me arrestimet, karabinierët kryen kontrolle dhe bastisje ndaj të gjithë personave të përfshirë në hetim.
Akuzat përfshijnë 36 episode të shitjes së drogës, të ndodhura mes vitit 2024 dhe pranverës 2025, në disa qytete të Italisë qendrore dhe veriore.
Top Channel