Deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për emërtimin e vendit të tyre, reagon ashpër Athina
Mark Rutte ka deklaruar se premtimi i vendeve të NATO-s për të shpenzuar 5% të prodhimit të tyre ekonomik për mbrojtje është suksesi më i madh i politikës së jashtme i Donald Trump.
Në një intervistë për BBC-në, Mark Rutte theksoi se falë Donald Trump-it, NATO është më e fortë se kurrë, duke shtuar se Trump është një lajm i mirë për mbrojtjen kolektive, për NATO-n dhe për Ukrainën. Udhëheqësi amerikan kishte kritikuar ashpër aleatët evropianë për shpenzime të pamjaftueshme në fushën e mbrojtjes, madje duke kërcënuar se do të tërheqë mbrojtjen e SHBA-së nëse ata nuk rrisnin shpenzimet.
Shefi i NATO-s gjithashtu ka paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë aleatët brenda pesë viteve të ardhshme. Presidenti rus, Vladimir Putin, i hodhi poshtë këto deklarata duke i quajtur si “histeri”.
“E kam thënë vazhdimisht, është një gënjeshtër, një absurditet, një absurditet i pastër, për një kërcënim imagjinar rus ndaj vendeve evropiane,” ishte shprehur Putin.
Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022, Putin njoftoi aneksimin e katër rajoneve ukrainase – Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhisë dhe Khersonit. Rusia e kishte aneksuar tashmë Krimenë në vitin 2014. Disa prej këtyre rajoneve janë ende nën kontrollin ukrainas, veçanërisht Donetsku, ku Ukraina mban ende deri në 23% të territorit.
Putin ka deklaruar se qëllimet e “operacionit special ushtarak” do të arrihen dhe preferon ta bëjë këtë përmes diplomacisë, megjithatë ai paralajmëroi se nëse palët kundërshtare refuzojnë të angazhohen në diskutime, Rusia do të përdorë mjete ushtarake për të realizuar “çlirimin e tokave të saj historike”.
Në intervistën e tij për programin PM të BBC Radio 4, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se ishte “çmenduri” që Putin të synonte rifitimin e kontrollit mbi Ukrainën ose mbi ish-territoriet e Bashkimit Sovjetik, duke shkaktuar vdekjen dhe lëndimin e mbi 1.1 milionë njerëzve të tij. Mark Rutte gjithashtu vlerësoi përpjekjet e Trump për të arritur një marrëveshje paqeje, por në këtë proces, një draft i propozimeve të tij ka ngjallur kritika për favore që mund të ofronte ndaj Rusisë. Ky plan sugjeronte dorëzimin e kontrollit të disa territoreve ukrainase ndaj Rusisë, si dhe garanci sigurie për Ukrainën.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se SHBA është e gatshme të ofrojë garanci të sigurisë për Ukrainën, që ngjasojnë me klauzolën e Nenit 5 të NATO-s, për mbrojtje të ndërsjellë. Një tjetër propozim ka qenë krijimi i një “forcë shumëkombëshe Ukraine” e udhëhequr nga Europa për të mbështetur Ukrainën në sigurinë e saj dhe rigjenerimin e forcave të armatosura.
Shefi i NATO-s shtoi se “Rusia duhet të kuptojë që, me garancitë e sigurisë të ofruara, ajo nuk mund të përpiqet më kurrë të sulmojë Ukrainën, sepse përgjigjja jonë do të jetë shkatërruese, dhe kjo është pikërisht ajo që po diskutojmë tani.”
Putin ka kundërshtuar çdo ide të tillë dhe ka theksuar se Rusia nuk kërkon konflikt me Evropën, por është gati ta përballojë atë nëse Evropa e nis. Kjo është një paralajmërim që pason veprimet e fundit të Rusisë, ku ka vazhduar të prodhojë armë dhe municione në një shkallë masive për të mbështetur luftën.
Sipas një raporti të fundit nga Instituti Kiel për Ekonominë Botërore, Rusia po prodhon çdo muaj rreth 150 tanke, 550 automjete luftarake këmbësorie, 120 dronë Lancet dhe më shumë se 50 armë artilerie. Analistët thonë se është e vështirë që fabrika të Europës Perëndimore të arrijnë një ritëm prodhimi të tillë për shumë vite.
Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë hapa të kohëve të fundit për të rivendosur një sistem shërbimi ushtarak vullnetar për të rinjtë 18-vjeçarë, ndërsa NATO ka mbështetur një angazhim të shtuar të aleatëve për të rritur shpenzimet ushtarake deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, në përpjekje për t’u përgatitur për kërcënimet afatgjata nga Rusia dhe terrorizmi.
Mark Rutte ka theksuar se tani janë më të fortë, por nëse nuk i zbatojnë vendimet e Hagës, do të jenë më të dobët se rusët brenda disa vitesh, dhe sipas tij, kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme.
Top Channel