Krerët e BE-së në Bruksel, çfarë pritet nga samiti? “Detyra” për vitet e ardhshme
Rajoni i Donbasit mbetet një nga frontet më të ashpra të luftës në Ukrainë.
Mes llogoreve, “dhëmbëve të dragoit”, telave me gjemba dhe rrjetave kundër dronëve, forcat ukrainase vazhdojnë të rezistojnë përballë ofensivave ruse, ndërsa negociatat diplomatike mbeten të pasigurta.
Në hyrje të rajonit, shenjat e luftës janë kudo: depo armësh të goditura nga dronët rusë, postblloqe të shkatërruara dhe qytete që jetojnë nën kërcënimin e sulmeve ajrore. Pokrovsk është sot një nga pikat më të nxehta të betejës. Komandantë në terren thonë se sulmet ruse janë zmbrapsur, por pranojnë se do të tërhiqeshin nëse urdhri do të vinte: “Nuk duam të vdesim për të mbrojtur rrënoja”.
Rajoni është fortifikuar ndjeshëm muajt e fundit. Rrugët janë të mbuluara me akull dhe rrjeta metalike për të penguar dronët kamikazë. Fabrikat janë mbyllur, minierat të goditura, ndërsa civilët e mbetur përballen me mungesë energjie, të ftohtë dhe pasiguri totale.
Në Kramatorsk dhe Sloviansk, dikur qytete plot jetë, sot mbizotëron heshtja. Transporti për civilët është ndërprerë, tregjet funksionojnë me vështirësi dhe pakënaqësia po rritet. Mes lodhjes dhe propagandës, ndihen edhe zëra filorusë, por mbi të gjitha frika: frikë për t’u larguar dhe frikë për të qëndruar.
Situata humanitare mbetet alarmante. Organizata si Emergency dhe Mjekët pa Kufij paralajmërojnë për një valë të re refugjatësh nëse fronti përparon, veçanërisht nga jugu. Familje të tëra mbërrijnë në qendrat e evakuimit vetëm me disa çanta, pa e ditur se ku do të strehohen.
“Kam humbur gjithçka brenda një nate”, thotë Leonid, 75 vjeç, i cili është larguar nga fshati pranë frontit. “Babai im ishte rus, nëna ukrainase. Nuk e kuptoj pse duhet të luftojmë ende. Kjo luftë nuk është për njerëzit e thjeshtë”.
Ndërsa dimri forcohet dhe sulmet vazhdojnë, Donbasi pret fatin e tij, mes qëndresës ushtarake, dëshpërimit civil dhe një lufte që duket larg përfundimit.
Top Channel