Inside Story/ Video ekskluzive, ja gurët e çmuar që nxirren nga galeritë e Mirditës. Shqipëria nuk fiton asgjë

17/12/2025 21:54

Ndodhemi në fshatin Letitna të Mirditës. Në këtë galeri nëntokë ndahen Gurth 1 dhe Gurth 3 ku bëhen kërkimet për bakër.

Inside Story ka siguruar material të marrë në galeritë Gurth 3 të cilët që në pamje të parë tregojnë se vlerat e tyre janë të mëdha. Ngjyra e verdhë e cila shkëlqen në diell e forcon lidhjen e tij me floririn. Ndërsa guri tjetër tregon se në përmbajtjen e tij ka shumë zink.

Në galeritë e nëndheshme të Spaçit, aty ku drita e llambës prek sipërfaqen e lagur të shkëmbit, mineralet fillojnë të tregojnë historinë e tyre. Dy gurët që shohim janë harta të fshehta, gjurmë të procesit të thellë gjeologjik që krijon metale të çmuara, përfshirë edhe floririn.

Me sipërfaqe që ndez ngjyrimet e arit, vjollcës dhe blusë, është një përzierje dominuese e piritit dhe kalkopiritit. Shkëlqimi i fortë i arit tregon kristalizim të pastër piritik, pikërisht ato struktura kristalore ku gjeologët e dinë se mund të strehohen gjurmët më të imëta të floririt.

Vijat që vezullojnë në ngjyrën vjollcë të kaltër, tregojnë oksidimin sipërfaqësor të kalkopiritit, një mineral që në shumë vendburime sulfurike, përfshirë Spaçin, shërben si “transportues” i floririt në nivele mikroskopike. Edhe ato zona me ngjyrë blu të thellë, ku borniti ndez shkëlqimin e tij vajor, janë shenja se kjo masë është formuar në kushte të nxehta, ku metalet e rënda dhe të çmuara lëvizin së bashku.

Në këtë gur me trupin gri-metalik dhe venat e gjera blu në vjollcë, piriti paraqitet në masë kompakte. Kjo përbën një strukturë të njohur ndër gjeologët si zonë ku floriri tenton të inkorporohet brenda vetë rrjetit kristalor, i padukshëm për syrin e njeriut.

Vija të trasha të kalkopiritit të oksiduar ndërpresin masën gri dhe japin pikërisht atë lloj teksture që shihet shpesh në zonat më të mineralizuara, aty ku metalet e çmuara kanë më shumë gjasa të jenë depozituar. Edhe njolla e verdhë metalike në cep, një pikë e fortë ari e errët, tregon një zonë kristalizimi të vonshëm, ku metalet kanë mundur të përqendrohen.

Në këto dy gurë, floriri nuk shfaqet si thërrime, nuk shkëlqen në sipërfaqe. Ai qëndron i fshehur, i lidhur fort brenda piritit dhe kalkopiritit, pjesë e historisë së krijimit të tyre. Në vendburime si Spaçi, floriri nuk gjendet si thesar i dukshëm, ai është një sekret i brendshëm i mineralit, një gjurmë që zbulohet vetëm kur masa sulfurike studiohet, përpunohet apo analizohet.

Kjo është një tjetër video që është realizuar brenda galerive. Sërish e njëjta ngjyrë dominon. Çdo gur, pavarësisht madhësisë që ka, ngjyrat dhe nuancat tregojnë për minerale të rralla. Vetëm me sy të lirë sigurisht që nuk mund të përcaktohet vlera e tyre, por institucionet, nëse do të bënin analiza lëndës së parë që del nga nëntoka përpara se të eksportohet, do të mund të përcaktonte lehtësisht elementët që përmban bakri.

Videot që po shihni në ekran janë realiteti i nëntokës në Spaç, Letitna e Gurth. Të gjitha këto galeri shfrytëzohen nga e njëjta kompani “Tete Albania”. Spaçi është në kufi me Munellën, pra bëhet fjalë për të njëjtën masiv shkëmbor që shfrytëzohet. Në të shkuarën në këto zona është nxjerrë flori i pastër, po sot çfarë ndodh?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB