Inside Story/ Si u thye greva e minatorëve dhe kush e mban të fshehtë kontratën e shfrytëzimit me kompaninë turke…?!

17/12/2025 21:34

Puna nëntokë, për shkak të vështirësisë dhe rreziqeve që mbart, kërkon trajtime specifike jo vetëm për kushtet në punë, por edhe për kujdesin shëndetësor, kontrollet e vazhdueshme që duhet të kryejnë minatorët. Por kompania “Tete Albania”, që shfrytëzon galerinë, nuk u mundëson asnjë kontroll mjekësor punonjësve.

‘Duam kontrolle mjekësore, ne punojmë nëntokë. Kodi i punës e ka që punëtorët e nëntokës do të shkojnë dy herë në vit nga kompania të kontrollohen për mushkëritë, punojmë në tym’, u shpreh minatori Albert Bushprendi.

‘Kontrollet shëndetësore i bëjmë vetë me lekët tona. Të futesh në minierë 2 km nën tokë e për çfarë? Që të pasurohet dikush me djersën dhe mundin tonë’, u shpreh Lekë Gjergji, zjarrmëtar.

Nga 76 minatorë që e nisën grevën, 61 prej tyre vijuan. Pjesa tjetër u rikthye në punë duke firmosur një kontratë me kushte shumë më të dëmshme ndaj tyre sesa ishte më parë.

‘Ata janë njerëz me shumë përvojë që janë sot në grevë, janë një aset jo vetëm për atë minierë, por janë një aset kombëtar. Në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, pra që ka nevojë ulëritëse për punëtorë, të trajtosh kështu punëtorët dhe punëtorët me përvojë është e tmerrshme. Nuk duhet lejuar që ata minatorë të thyhen. Pse? Sepse janë në të drejtën e tyre kushtetuese ligjore’, u shpreh deputeti i PS, Erion Braçe.

“Inside Story” bashkëbisedoi me protestuesit në fundin e muajit nëntor, në ditët kur greva ishte në pikën kulmore. Ditët në vijim, greva erdhi drejt venitjes, edhe pse nuk u shua totalisht.

Kjo grevë nxori në sipërfaqe jo vetëm trajtimin çnjerëzor të punonjësve, por edhe zhvatjen e pasurisë së shqiptarëve.

Ajo që bie në sy që në krye të historisë është fakti se kontrata e shfrytëzimit mes shtetit dhe kompanisë turke “Tete Albania” mbahet e fshehtë. Ne i jemi drejtuar institucioneve të linjës, por kontrata që duhej të ishte publike nuk gjendet askund. Në këto kushte, detyrimet e kompanisë ndaj shtetit shqiptar apo investimet që duhen kryer mbeten të panjohura. Pasqyrat financiare janë të fshehura dhe në periudhat e mëparshme është deklaruar vazhdimisht humbje. Por çfarë e mban kompaninë turke në Shqipëri, kur aktiviteti është vazhdimisht me humbje?

‘Pyetja që kam unë është: është bërë ndonjëherë ndonjë analizë, veçanërisht nga AKBN, për pjesën e investimit dhe zhvillimit të këtyre vendburimeve natyrore që ne kemi lëshuar me kontratë? Jo’, u shpreh deputeti i PS, Erion Braçe.

‘Pra, ti nuk mund të trajtosh një minierë në shekullin e 21 sikur po punon në shekullin e 19. Ku ndryshon miniera e shekullit të 19 me shekullin e 21? Nga investimet, pra ti bën investimet plotësuese, ato që duhen për të rritur standardin. Ky është problemi më i madh që kemi’, u shpreh eksperti i ekonomisë, Pano Soko.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB