Inside Story/ Minatorët e Spaçit u pushuan pas angazhimit në sindikatë, Braçe i ashpër: Kriminale! Turp për institucionet

17/12/2025 21:23

Greva e minatorëve të Spaçit nisi pas shkarkimit të shefit të turnit pas angazhimit të tij në sindikatë, sipas dëshmive. Solidariteti i minatorëve të Spaçit për pushimin nga puna të drejtuesit të turnit agravoi më tej situatën në minierë.

“Ne kemi dalë nga galeritë në shenjë proteste pa brigadier, pa drejtues dhe kemi vazhduar protestën kolektive, ndërprerje pune, jo grevë, pastaj kemi lajmëruar të gjitha institucionet për grevë”, u shpreh Dritan Lleshi, Kryetar i Sindikatës.

Vendimi për të protestuar nxiti përballje të ashpër me drejtuesit e kompanisë turke, të cilët e quajnë të paligjshëm organizimin e minatorëve të nëntokës. Vëmendja që duhej të përqendrohej te të drejtat e tyre zhvendoset te mospranimi i sindikatës.

“Kështu na del kur nuk kemi sindikatë, kështu kur nuk na ndihmon njeri, këtu ishte e gjithë zanafilla dhe lindi ideja të krijojmë sindikatën tonë”, u shpreh minatori Albert Bushprendi.

“Është turp i madh që një seri institucionesh kanë hyrë në mes dhe negociojnë një të drejtë kushtetuese jo vetëm të çdo shqiptari, por edhe të çdo të huaji që punon sot në Shqipëri. Kushtetuta nuk thotë që në filan ndërmarrje punëtorët grumbullohen në sindikatën që ka krijuar pronari i ndërmarrjes. Jo, Kushtetuta thotë punëtorët zgjedhin sindikatën”, u shpreh deputeti i PS, Erion Braçe.

Pas protestave në Spaç, jo vetëm që kërkesat e minatorëve nuk u morën parasysh, por kompania pushoi në grup 61 punëtorë. Ky dokument është një prej vendimeve të shkarkimit që justifikohet me mungesën në vendin e punës. Në po të njëjtën formë janë pushuar të gjithë punëtorët e nëntokës të cilët janë në grevë.

“Konstatojmë se punëmarrësi nuk është paraqitur në vendin e punës për shtatë ditë.”

“Pushimi nga puna për një të drejtë kushtetuese është kriminal”, u shpreh deputeti i PS, Erion Braçe.

“Pse nuk ju garantohet e drejta kushtetuese për t’u organizuar, sepse dikush në institucionet e varësisë së ministrisë që ajo drejton ka toleruar, ka mbyllur sytë apo edhe ka përkrahur një qëndrim të tillë”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Pano Soko.

Situata bëhet më e rëndë kur kompania përpiqet t’i zëvendësojë minatorët dhe të dërgojë në nëntokë punëtorë të tjerë të patrajnuar, duke iu rrezikuar jetën. E gjithë kjo bëhet me qëllim shuarjen e grevës.

“Tani ky lëviz me gjendjen ekonomike të punëtorëve, se shumë njerëz janë me halle, me probleme, se nuk përballojnë dot, kanë të sëmurë në familje, problematika nga më të ndryshmet“, u shpreh Dritan Lleshi, Kryetar i Sindikatës.

“Ajo që po ndodh është akoma edhe më e rëndë, punëdhënësi jo vetëm që nuk i përgjigjet institucioneve publike të shtetit, por në krahun tjetër po bën çfarë është e mundur që të thyejë grevën. Pra, po godet Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë me një seri veprimesh, më i fundit është zëvendësimi i këtyre minatorëve me të tjerë që do të vuajnë po njësoj”, u shpreh deputeti i PS, Erion Braçe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB