Inside Story/ Video ekskluzive, ja gurët e çmuar që nxirren nga galeritë e Mirditës. Shqipëria nuk fiton asgjë
Dokumentet zbulojnë hapur një tjetër formë abuzimi dhe diskriminimi. Nga listpagesa e muajit gusht të vitit 2025 shikohet se pagat për punonjësit e huaj shkojnë deri në 550 mijë lekë të rinj.
“Punojnë edhe shtetas të huaj të cilët me të njëjtin kod dhe me të njëjtin profesion, me të njëjtën punë në të njëjtat galeri paguhen disa herë më shumë se minatorët shqiptarë pra me kombësi shqiptare dhe natyrisht kjo është e pafalshme. Kjo historia që del punëdhënësi i tyre apo del një inspektor shteti dhe thotë shiko se ky inxhinieri apo ky minatori apo ky zjarrmëtari ka marrë 2 milionë lekë në muaj natyrisht që është një histori banale. Po tu hysh llogarive do të thotë që ato dy milionë janë për 26 ditë pune. Punon sot në Shqipëri përveç bujqve një njeri 26 ditë në muaj?”, u shpreh deputeti i PS, Erion Brace.
Në listëpagesa vërehet se punohet 26 ditë pune në muaj, çka përbën shkelje të Kodit të Punës, nga ana tjetër vetë minatorët shprehen se për të rritur të ardhurat punojnë nga dy turne nëntokë. I tillë është edhe rasti i Albert Bushprendit, i cili u pushua i pari nga puna, duke sjellë efektin zinxhir drejt grevës dhe shkarkimeve masive.
“Të punosh si skllav, duke i dhënë të ardhura sa të duash me bakër me flori me të gjitha, ai nuk të përfill”, u shpreh sodisti Tonin Përkeqi.
“Ka punëtorë që punon në minierë edhe është me 28 mijë lekë të vjetra”, i shpreh Dritan Lleshi, Kryetar i Sindikatës.
“Unë punoj dyfishin e kohës, ajo nuk është paga ime, është mund i tepruar”, u shpreh minatori, Albert Bushpendi .
“Me këtë pagë që kemi na, 41 mijë lekë të vjetra marr, jam vetë i treti në shtëpi, me shtëpi me kredi”, u shpreh zjarrmëtari Marjo Simoni.
“T’i shfrytëzosh përtej 8 orarëshit nëntokë, në një punë tmerrësisht të vështirë dhe me impakt fizik, mental, e që ka lidhje drejtpërdrejtë me shëndetin të atij punëtori që është atje dhe që mund të ketë pasoja shumë të mëdha edhe për kolegët e tij por edhe për vete minierën është shfrytëzim kriminal dhe barbar i këtyre punëtorëve”, u shpreh deputeti i PS, Erion Brace.
Minatorët tregojnë se punojnë në kushte të vështira në punë, rrezikshmëri të lartë nga rrëshqitja e gurëve, gazrat dhe shpërthimet që kryejnë.
“Jemi në tymin e minave, jemi në tymin e makinerive të rënda që punojnë aty si bëhet nami nga gazrat, jemi në ujë, në baltë”, u shpreh zjarrmëtari Lekë Gjergji.
“Kjo rrezikshmëri ka me lëndë plasëse, ne përdorim lëndë plasëse edhe gurët, vendi është i paarmatosur, ka shumë vende pa armatosur, por nuk duan me ditë ata vetëm kërkojnë a u bë plasja, jo, pse nuk e bane, kërkesë llogarie, a do të rrish në punë ose të bëjmë plasjen, edhe ka raste që kanë ra gurë, mua më kanë rënë disa herë”, u shpreh zjarrmëtari Marjo Simoni.
Top Channel