Banorë të fshatit Ujë në Mirditë denoncojnë prej vitesh një problem serioz që, sipas tyre, po u shkatërron pronat dhe po u rrezikon jetën.
Ata akuzojnë kryeplakun e fshatit, Roland Mrruku, se lë pa kontroll bagëtitë e tij derra, lopë, dele dhe dema të cilat shkojnë lirshëm nëpër arat, vreshtat dhe oborret e banorëve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare është paraqitur Luka Dodaj, e cila tregon mes lotësh se vreshtat dhe të mbjellat e saj janë shkatërruar plotësisht. Sipas saj, pavarësisht ankesave të shumta të depozituara në bashki, polici dhe prokurori, askush nuk ka marrë masa konkrete për t’i dhënë zgjidhje situatës. Ajo thotë se kryeplaku zotëron rreth 30 derra dhe disa dema, të cilët jo vetëm dëmtojnë pronat, por përbëjnë edhe rrezik serioz për jetën e banorëve të fshatit.
Banorja ka vënë në dispozicion të redaksisë ankesa të shumta të dërguara ndër vite në institucione, si dhe vendimin e Prokurorisë së Lezhës, e cila ka vendosur mosfillimin e procedimit penal me argumentin se vlera e dëmit nuk kalon 1 milion lekë.
Gazetarët shkojnë në fshat edhe tre banorë të tjerë konfirmojnë të njëjtën situatë. Ata tregojnë se bagëtitë e kryeplakut lëvizin lirshëm nëpër fshat dhe futen në pronat private, duke shkatërruar çdo gjë dhe duke krijuar frikë të vazhdueshme. Njëri prej tyre shprehet se demi i lirë nëpër fshat përbën rrezik serioz, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
Një tjetër banore tregon se e telefonon çdo ditë kryeplakun për t’i kërkuar të marrë bagëtitë nga pronat e saj, por situata përsëritet vazhdimisht. Sipas banorëve, kryeplaku jeton në Rrëshen, ndërkohë që bagëtitë i mban në fshat pa asnjë çoban duke i lënë të lira nëpër pronat e të tjerëve.
I përballur me banorët, kryeplaku Roland Mrruku refuzon të filmohet dhe gjatë debatit pretendon se nuk i ka dëmtuar pronat e tyre, duke i cilësuar ankesat si të pabazuara. Ai pranon se bagëtitë kanë qenë në fshat, por shprehet se kjo ka ndodhur për shkak të një rasti vdekjeje dhe se, sipas tij, kur ka pasur dëme, ka ofruar t’i shpërblejë.
Kryeplaku shkon edhe më tej, duke deklaruar se aktualisht nuk ka të mbjella dhe se nuk ka problem që bagëtitë të hyjnë në pronat e banorëve. Ai thekson se në fshat “veprohet sipas ligjeve të fshatit”, duke lënë të nënkuptohet se rregullat tradicionale janë mbi ligjin zyrtar.
Ndërkohë, banorët ndihen të braktisur nga institucionet dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente, duke theksuar se prona private dhe siguria e jetës nuk mund të varen nga “ligji i fshatit”, por nga ligji i shtetit. Ata kërkojnë drejtësi dhe mbrojtje, përpara se situata të përshkallëzohet në pasoja edhe më të rënda.
Top Channel