Greqia miraton buxhetin për vitin 2026 me 159 vota pro, kritika të ashpra nga opozita
Plani i kryeministres italiane Giorgia Meloni për të nxjerrë në ankand dhuratat e marra gjatë mandatit të saj ka dështuar para se të vihej në zbatim, pasi shtëpia e ankandeve e përzgjedhur për procesin është përfshirë në një hetim penal.
Shtëpia e ankandeve Bertolami Fine Art, e cila do të administronte ankandin, ndodhet nën hetim nga autoritetet italiane në kuadër të një çështjeje afatgjatë për trafikim të dyshuar të paligjshëm të objekteve arkeologjike. Sipas mediave italiane, themeluesi dhe pronari i kompanisë është pezulluar për të njëjtin rast.
Prokurorët dyshojnë se një rrjet trafikantësh ka vjedhur objekte arkeologjike dhe i ka kanalizuar ato përmes shtëpive të ankandeve, përfshirë Bertolami-n, me qëllim “legjitimimin” e tyre dhe rikthimin në tregun e ligjshëm të artit. Shtëpia e ankandeve ka mohuar më herët çdo përfshirje në aktivitete të paligjshme.
Sipas Politico, zyra e kryeministres ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të hetimit në momentin e përzgjedhjes së shtëpisë së ankandeve, pasi çështja ishte e mbuluar nga sekreti gjyqësor. Palazzo Chigi bëri të ditur se bashkëpunimi u ndërpre menjëherë sapo detajet e hetimit u publikuan nga gazeta Il Fatto Quotidiano.
Ligji italian ndalon një kryeministër të mbajë dhurata personale të marra nga udhëheqës të huaj nëse vlera e tyre tejkalon 300 euro. Për këtë arsye, shumica e këtyre objekteve ruhen në një hapësirë të posaçme dhe të sigurt në Palazzo Chigi, pa u ekspozuar për publikun dhe pa ekzistencën e një regjistri publik zyrtar.
Disa nga dhuratat e marra nga Meloni kanë tërhequr vëmendje publike, përfshirë një figurë aksioni të dhuruar nga presidenti argjentinas Javier Milley dhe një gjerdan diamanti i dhënë gjatë vizitës së saj zyrtare në Uzbekistan në janar 2023 nga presidenti Shavkat Mirziyoyev.
Ankandi i planifikuar, i cili u anulua përfundimisht, vlerësohej të mblidhte rreth 800 mijë euro, ku pjesa më e madhe e të ardhurave pritej të shkonte për bamirësi, ndërsa një përqindje më e vogël do të mbulonte kostot dhe tarifat e shtëpisë së ankandeve.
Top Channel