‘Qatargate’, Parlamenti Europian i heq imunitetin eurodeputetes italiane Alessandra Moretti

16/12/2025 17:19

Parlamenti Europian votoi sot për heqjen e imunitetit parlamentar të eurodeputetes së Partisë Demokratike italiane, Alessandra Moretti, në kuadër të hetimit të njohur si “Qatargate”.

Vendimi u miratua me 497 vota pro, 139 kundër dhe 15 abstenime. Në të njëjtën seancë plenare në Strasburg, Parlamenti vendosi të konfirmojë imunitetin e eurodeputetes tjetër të Partisë Demokratike, Elisabetta Gualmini, me 382 vota pro, 254 kundër dhe 19 abstenime.

Eurodeputetët e Lëvizjes Pesë Yje kishin paralajmëruar se do të votonin në favor të revokimit të imunitetit, duke kontribuar në shumicën që çoi në heqjen e mbrojtjes parlamentare për Morettin. Vendimi ka nxitur debate të forta politike, pasi shumë prej kritikëve e konsiderojnë atë më tepër politik sesa ligjor.

Sipas mbrojtjes së Morettit, provat e paraqitura nga magjistratët belgë janë të kufizuara dhe të paqëndrueshme. Akuzat lidhen me kontakte me ish-eurodeputetin Antonio Panzeri dhe me një udhëtim të supozuar në Katar, gjatë të cilit ajo dyshohet se ka marrë një dhuratë luksoze, akuza që eurodeputetja i ka mohuar kategorikisht, duke deklaruar se nuk ka qenë kurrë në Katar dhe se nuk ka marrë asnjë përfitim apo dhuratë.

Moretti pranon se ka pasur kontakte politike me Panzerin dhe Francesco Giorgin, si shumë eurodeputetë të tjerë, për çështje institucionale, përfshirë edhe debatin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Katarit në vitin 2022. Ajo thekson se të gjitha aktivitetet e saj kanë qenë brenda prerogativave parlamentare dhe të zhvilluara me transparencë të plotë.

Ndërkohë, Nicola Zingaretti, kreu i delegacionit të Partisë Demokratike në Parlamentin Europian, shprehu besimin se Moretti do të provojë integritetin dhe pafajësinë e saj, duke theksuar se ajo do të vazhdojë normalisht punën parlamentare gjatë fazës së ardhshme të hetimeve.

Nga ana tjetër, avokati i Elisabetta Gualminit, profesori Vittorio Manes, e mirëpriti vendimin për konfirmimin e imunitetit të klientes së tij, por kritikoi ashpër prokurorët belgë, duke e cilësuar hetimin si të ndërtuar mbi baza të dobëta dhe potencialisht të rrezikshme për lirinë e veprimtarisë politike të eurodeputetëve.

Vetë Moretti e ka cilësuar procesin si një “larje hesapesh politike” mes grupeve parlamentare, por ka deklaruar se është e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet dhe të paraqitet para hetuesve për të dëshmuar pafajësinë e saj. Ajo theksoi se kjo çështje duhet të shërbejë si një betejë politike për mbrojtjen e rolit dhe prerogativave të Parlamentit Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB