Trump i paditi për shpifje dhe i kërkon 10 miliardë dollarë, BBC: Do të mbrohemi
Një avion i Aegean Airlines nga Athina u ul sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit – fluturimi i parë direkt i operuar nga një transportues evropian drejt kryeqytetit irakian në 35 vjet, njoftoi sot Ministria e Transportit e Irakut.
Ky është “një hap vendimtar, që shënon fillimin e një faze të re rimëkëmbjeje për sektorin e aviacionit irakian” dhe kthimin e tij “në hartën evropiane të aviacionit”, nënvizoi deklarata e ministrisë.
Linjat ajrore evropiane nuk kanë fluturuar direkt në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit për arsye sigurie që nga fillimi i viteve 1990, kur Sadam Huseini, i cili sundoi Irakun nga viti 1979 deri në vitin 2003, pushtoi Kuvajtin fqinj. Regjimi i Sadam Huseinit u rrëzua nga pushtimi i udhëhequr nga SHBA-të në vitin 2003.
Megjithatë, pas dekadash lufte civile, konfliktesh fisnore dhe sulmesh xhihadiste, Iraku ka filluar të rifitojë njëfarë stabiliteti dhe autoritetet po punojnë për të tërhequr investime të huaja për të nxitur ekonominë e vendit.
Linja Bagdad-Athinë-Bagdad do të operohet me dy fluturime në javë , me mundësinë e shtimit të më shumë në varësi të kërkesës, tha ministria.
Më herët këtë vit, Aegean Airlines nisi fluturime për në Erbil , kryeqytetin e rajonit autonom të Kurdistanit në Irakun verior, i cili paraqitet si një oaz stabiliteti relativ në vend.
Top Channel