BE rishikon ndalimin e shitjes së automjeteve me djegie të brendshme, mirëpret hibridet dhe biokarburantet
Me 159 vota pro nga 295 ligjvënës të pranishëm në sallë, parlamenti grek miratoi buxhetin shtetëror për vitin 2026, pas pesë ditësh debatesh të forta dhe një përplasjeje të ashpër mes qeverisë dhe opozitës.
Buxheti u mbështet nga shumica qeverisëse dhe tre deputetë të pavarur, ndërsa u kundërshtua nga të gjitha partitë opozitare.
Qeveria Mitsotakis e paraqet buxhetin e ri si një paketë stabiliteti ekonomik dhe mbështetjeje sociale, me ndërhyrje prej rreth 3 miliardë eurosh për rritjen e të ardhurave të qytetarëve, në mënyrë që, sipas saj, rritjet e pagave dhe përfitimeve të mbulojnë humbjet nga kostoja e jetesës.
Sipas parashikimeve zyrtare, inflacioni pritet të ulet në 2,2%, ndërsa papunësia zbret në nivele të krahasueshme me ato para krizës së vitit 2008. Qeveria thekson se rritjet e të ardhurave do të jenë mbi nivelin e inflacionit, sidomos për shtresën e mesme, të rinjtë dhe familjet.
Një nga pikat që Athina i jep peshë të veçantë është ulja e borxhit publik. Për herë të parë, borxhi pritet të bjerë nën 140% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe siç deklaroi Mitsotakis objektivi është që deri në vitin 2029 borxhi të zbresë nën 120% të PBB-së.
Në planin e investimeve, buxheti parashikon rritje prej 10,2% krahasuar me këtë vit, me Programin e Investimeve Publike të forcuar me 2 miliardë euro shtesë. Në buxhet përfshihen edhe masa për strehimin, me programe rinovimi banesash, kufizime në qiratë afatshkurtra dhe stimuj për strehim të përballueshëm.
Paralelisht, u njoftuan fonde shtesë 160 mln euro për fermerët dhe blegtorët, në një moment kur sektori bujqësor përballet me vonesa në pagesat e ndihmave dhe rritje të kostove të prodhimit.
Nga ana e saj partitë opozitare reaguan ashpër, duke e cilësuar buxhetin të padrejtë për qytetarët dhe të shkëputur nga realiteti i përditshëm i tyre. Ato akuzuan qeverinë për menaxhim të gabuar të ekonomisë, rritje të pabarazive, dobësim të shtetit social dhe braktisje të periferisë dhe bujqësisë.
Debati parlamentar u shoqërua edhe me tensione sociale jashtë ndërtesës ku mijëra punonjës të bashkive, mësues dhe mjekë dolën sot në grevë, duke protestuar për paga të ulëta dhe rritjen e kostos së jetesës.
Në të njëjtën kohë, fermerët vazhdojnë për javën e tretë radhazi bllokadat në rrugët kryesore dhe në pikat kufitare, duke kërkuar pagesën e menjëhershme të ndihmave dhe uljen e kostos së karburantit dhe energjisë.
Top Channel