Biznesi dhe gjeopolitika, si po ndryshon qasja e administratës Trump ndaj Rusisë

16/12/2025 17:12

Disa nga ndryshimet e fundit diplomatike në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, nën administratën e Donald Trump, po bëhen gjithnjë e më të dukshme jo vetëm në politikë, por edhe në biznes.

Dy zhvillime kryesore bien në sy: menaxhimi i sanksioneve ndaj naftës ruse dhe gatishmëria e Uashingtonit për të njohur kontrollin e Moskës mbi disa territore ukrainase të pushtuara me forcë.

Një sinjal i fortë erdhi me shtyrjen për herë të dytë të afatit për shitjen e aseteve të huaja të gjigantit rus të energjisë Lukoil. Administrata Trump e zgjati afatin nga 13 dhjetori në 17 janar, duke i dhënë kompanisë më shumë kohë për të shitur pronat jashtë Rusisë, të cilat përfshijnë fusha të rëndësishme nafte në Irak, Kazakistan, Uzbekistan dhe Meksikë, si dhe një rafineri në Bullgari. Vlera e tyre në kushte normale vlerësohet rreth 22 miliardë dollarë, por sanksionet po e detyrojnë Lukoil të pranojë oferta shumë më të ulëta. Në këtë proces kanë shfaqur interes disa nga kompanitë më të mëdha amerikane të energjisë, si Exxon Mobil dhe Chevron, si edhe grupe të tjera ndërkombëtare me lidhje të afërta politike me Shtëpinë e Bardhë. Një rol të veçantë po luan edhe fondi i fuqishëm i kapitalit privat Carlyle, themeluesi i të cilit, David Rubenstein, ka zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta me Trump, duke ushqyer dyshime për përzierje të interesave politike dhe ekonomike.

Paralelisht me çështjen e naftës, në qendër të vëmendjes është edhe termocentrali bërthamor i Zaporizhias në Ukrainë, aktualisht nën kontrollin e forcave ruse. Emisarë të Trump kanë sinjalizuar se SHBA-ja mund të jetë e gatshme të njohë sovranitetin e Rusisë mbi zonën e pushtuar, një hap që do të përbënte një ndryshim të thellë nga doktrina tradicionale amerikane që refuzon njohjen e territoreve të marra me forcë.

Sipas burimeve, pas këtij qëndrimi qëndron edhe një interes biznesi: planet për ndërtimin e një qendre të dhënash për inteligjencën artificiale në zonën e kontrolluar nga Rusia, e cila do të furnizohej me energji të lirë nga termocentrali bërthamor.

Në tërësi, këto zhvillime po nxisin debate të forta mbi drejtimin e ri të politikës amerikane ndaj Rusisë, ku interesat ekonomike dhe marrëdhëniet e ngushta mes pushtetit politik dhe biznesit duket se po marrin një rol gjithnjë e më dominues.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB