Bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës në Berlin, Zelensky: Nuk do heqim dorë nga Donbasi

16/12/2025 09:55

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Donbasi dhe s’do ta njohë atë si territor rus.

Deklarata u bë në përgjigje të pyetjeve të mediave lidhur me negociatat për paqen. Kreu ukrainas theksoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë një kompromis dhe kanë propozuar krijimin e një zone të lirë ekonomike për Donbasin, por kjo, sipas tij, nuk nënkupton kontroll rus mbi territorin.

“Ne nuk duam të heqim dorë nga Donbasi ynë. Zona e lirë ekonomike nuk do të thotë nën kontrollin e Rusisë. Këto janë elemente thelbësore për mua në çdo format për Donbasin”, u shpreh Zelensky.

Ai theksoi se Ukraina nuk do ta njohë pjesën e Donbasit që aktualisht ndodhet nën pushtim të përkohshëm si territor rus, ndërsa shtoi se çështja e territoreve mbetet ende pjesë e diskutimeve.

“As de jure dhe as de facto nuk do ta njohim Donbasin si rus. Megjithatë, çështja territoriale do të diskutohet, pasi është një nga pikat kyçe dhe ende nuk ka konsensus”, deklaroi presidenti ukrainas.

Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një kohë kur po zhvillohen negociata intensive për një plan paqeje të propozuar nga SHBA.

Në muajin nëntor, Uashingtoni paraqiti një plan me 28 pika për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili u kritikua si i favorshëm për Rusinë, duke detyruar Ukrainën, SHBA-në dhe vendet evropiane të punojnë për rishikimin e tij.

Më 14–15 dhjetor, në Berlin u zhvilluan bisedime të reja mes Zelenskyt, ekipit të ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe liderëve evropianë.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB