“Ballkani, në pikë kritike”, raporti i Institutit “Apsen”: Disa vende janë mbrapa nga mangësitë në qeverisje

16/12/2025 13:38

Raporti më i fundit i Institutit gjerman “Aspen” i pranon përpjekjet që Ballkani Perëndimor po bën me vijimin e reformave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Por rajoni, sipas ekspertëve të tij, vazhdon të mbetet në pozicion kritik. Sipas raportit që mban titullin “Ndryshimi strukturor në Ballkanin Perëndimor”, “disa vende janë ende prapa, të penguar nga fragmentimi politik, mangësitë në qeverisje ose agjendat e ngecura të reformave”. “Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor përballen me një model të vazhdueshëm në të cilin, sundimi i dobët i ligjit, institucionet e politizuara shtetërore dhe kapaciteti i kufizuar administrativ dëmtojnë zbatimin e politikave dhe ‘gërryejnë’ besimin e publikut”,  thuhet në raport.

“Popullsia e rajonit po tkurret dhe të talentuarit po lëvizin gjithnjë e më shumë”. Kështu e përshkruan dukurinë e “largimit të trurit” nga rajoni raporti më i fundit i Institutit Aspen. Lëvizjet demografike shihen me shqetësim, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë, së cilës në rajon i mungojnë njerëzit e për rrjedhojë aftësitë e tyre, përshtatshmëria dhe një e ardhme e qëndrueshme.

“Ai që dikur shihej si emigrim i përkohshëm, është bërë problem strukturor, sepse të rinjtë dhe punëtorët e kualifikuar largohen në kërkim të mundësive, teksa popullsia në plakje dhe pjesëmarrja e ulët në tregun e punës dëmton fuqinë punëtore vendase”, thuhet në raport. Në procesin drejt anëtarësimit në BE, Shqipëria dhe Mali i Zi vazhdojnë të konsiderohen si kryesuesit e rajonit, për shkak të reformave të ndërmarra. Një ndër fushat ku theksohet ndërmarrja e hapave konkrete nga ana e Shqipërisë është modernizimi i infrastrukturës digjitale, përmes platformave si e-Albania, e cila sipas raportit, i centralizon shërbimet publike.

“Megjithatë dobësitë kibernetike janë të mprehta, siç u tregua në rastet e sulmeve kibernetike të vitit 2022, raste që iu atribuan Iranit, të cilat dëmtuan sistemet shtetërore dhe nxorën në pah boshllëqet në mbrojtjen e të dhënave”, vazhdon raporti, që përmend sidoqoftë miratimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2020-2025, dhe përafrimin me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave. Ai po kështu e përmend Serbinë si pengesë madhore për anëtarësimin e Kosovës në BE. “Serbia ka nisur negociatat për anëtarësimin në BE që prej vitit 2014, por përparimi mbetet i kufizuar, me shqetësime mbi reformën e sundimit të ligjit, lirinë e medias, harmonizimin e politikës së jashtme dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të cilat vijojnë të ngadalësojnë ritmin e negociatave” – theksohet në raport.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB