“Na bëri të gjithëve krenar”/ Flet familja e heroit që i mori armën njërit prej sulmuesve në Australi
Negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kanë hyrë në fazën më serioze deri më tani.
Kështu është shprehur Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, duke theksuar se ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse përpjekjet diplomatike do të japin rezultat.
“Negociatat nuk kanë qenë kurrë kaq serioze sa janë tani. Për të kuptuar nëse do të jenë të suksesshme, duhet të presim deri në fund të javës. Çdo përpjekje ia vlen në këtë moment historik për t’i dhënë fund këtyre vdekjeve të tmerrshme dhe kësaj lufte,” deklaroi Wadephul për radion publike gjermane. Ai shtoi se mbetet ende e paqartë nëse presidenti rus Vladimir Putin ka vullnet real për t’i dhënë fund konfliktit.
Në të njëjtën kohë, bisedimet mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara kanë rifilluar në Berlin. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po zhvillon takime me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pas një raundi të parë negociatash që zgjati rreth pesë orë një ditë më parë. Sipas burimeve qeveritare, diskutimet po zhvillohen në Kancelarinë Federale dhe fokusohen në mundësinë e një armëpushimi.
Një zëdhënës i qeverisë gjermane konfirmoi se Witkoff dhe Kushner janë ftuar edhe në një darkë pune me Zelenskyn dhe disa liderë evropianë, në përpjekje për të koordinuar qëndrimet dhe hapat e mëtejshëm diplomatikë.
Paralelisht, Bashkimi Evropian po diskuton dy opsione financimi për Ukrainën për dy vitet e ardhshme: një kredi të përbashkët bazuar në hapësirën fiskale të vendeve anëtare ose përdorimin e aseteve sovrane ruse të ngrira brenda BE-së. Komisioni Evropian ka paraqitur tashmë gjashtë akte ligjore për të përshpejtuar procedurat, ndërsa disa shtete anëtare kanë kërkuar alternativa më pak të rrezikshme.
Nga ana tjetër, Turqia ka rikonfirmuar gatishmërinë për të ndërmjetësuar bisedimet e paqes. Ministri i Jashtëm Hakan Fidan deklaroi se Stambolli mbetet i gatshëm të shërbejë si “tryezë paqeje” mes Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar se një paqe e drejtë nuk ka humbës.
Berlinin po e shndërron kështu në qendrën kryesore të diplomacisë ndërkombëtare për Ukrainën, ndërsa sytë janë të drejtuar nga zhvillimet e ditëve në vijim, që mund të përcaktojnë fatin e negociatave.
Top Channel