Kush janë viktimat e sulmit në Bondi Beach të Australisë/ Njëri prej tyre i mbijetuar i Holokaustit, dy rabinë izraelitë dhe një vajzë 10-vjeçare

15/12/2025 08:01

Të paktën 15 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin me armë zjarri që goditi plazhin Bondi gjatë festës hebraike të Hanukkah.

Autoritetet australiane nuk kanë publikuar ende identitetet e të gjitha viktimave, por është konfirmuar se mes të vrarëve janë një vajzë 10-vjeçare, dy rabinë izraelitë, një inxhinier francez dhe një i mbijetuar i Holokaustit. Mosha e viktimave varion nga 10 deri në 87 vjeç, ndërsa 42 persona ndodhen në spital.

Një nga viktimat e para të konfirmuara është Rabini Eli Schlanger, udhëheqës i misionit Chabad në Bondi dhe organizator i festës hebraike buzë detit, ku po merrnin pjesë mbi 2,000 persona. Lajmi u bë publik nga kushëriri i tij, rabini Zalman Lewis, i cili shkroi në rrjetet sociale se Schlanger “lë pas gruan dhe pesë fëmijë të vegjël”. Schlanger shërbeu për 18 vite si rabin dhe kapelan në komunitet dhe ishte angazhuar aktivisht për rritjen e masave të sigurisë pas shtimit të incidenteve antisemite në Australi.

Mes të vrarëve është edhe Alex Kleitman, 87 vjeç, me origjinë nga Ukraina dhe i mbijetuar i Holokaustit. Sipas bashkëshortes së tij, Larisa, ai u qëllua për vdekje ndërsa po përpiqej ta mbronte atë nga plumbat e sulmuesve. Çifti ndodhej në plazh për të festuar Hanukkah dhe kishin qenë së bashku për 50 vjet.

Një tjetër viktimë është Dan Elkayim, inxhinier francez që kishte emigruar në Sydney vetëm një vit më parë. Vrasja e tij u konfirmua nga autoritetet franceze, ndërsa ministri i Jashtëm i Francës e cilësoi sulmin si “një manifestim tragjik të antisemitizmit”.

Gjithashtu janë identifikuar Rabini Yaakov Halevi Levitin dhe Reuven Morrison, anëtar i komunitetit hebraik të Sidneit.

Pothuajse asgjë nuk dihet ende për vajzën 10-vjeçare të vrarë në sulm, përveç moshës së saj. Prania e një fëmije mes viktimave e ka tronditur thellë opinionin publik dhe ka shtuar reagimet ndërkombëtare.

Sulmi ndodhi në një nga plazhet më të njohura të Australisë, gjatë një aktiviteti fetar hebraik. Sipas dëshmive, qindra persona arritën të shpëtonin duke vrapuar, duke u hedhur në ujë apo duke u fshehur pas dërrasave të surfimit, ndërsa dy sulmues – baba e bir – hapën zjarr mbi turmën.

Autoritetet australiane po vazhdojnë hetimet, ndërsa komuniteti hebraik në Sydney dhe liderë ndërkombëtarë e kanë cilësuar ngjarjen si një sulm terrorist antisemit me pasoja të rënda njerëzore.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta