“Pamje të tmerrshme, trupa të pajetë, fëmijë që…”/ Dëshmitari flet për një nga autorët e masakrës në Australi: E meritonte, ia shkela kokën me këmbë

15/12/2025 16:51

Një dëshmitar okular i sulmit të përgjakshëm në Bondi Beach ka përshkruar për mediat momentet kaotike pas neutralizimit të njërit prej autorëve të dyshuar.

Jacob Barnfield deklaroi se disa persona e kishin mbajtur të shtrirë përdhe 24-vjeçarin Naveed Akram, duke u përpjekur ta ndalonin deri në mbërritjen e policisë.

Në një intervistë Barnfield tha se reagimi i njerëzve ishte i nxitur nga tronditja dhe zemërimi pas asaj që kishin parë në vendngjarje.

“Pamjet ishin të tmerrshme, trupa të pajetë, familje që bërtisnin dhe fëmijë të plagosur. Ishte instinkt mbijetese,” u shpreh ai.

Sulmi, i cili ndodhi gjatë festimeve të Hanukës në plazh, la 16 persona të vrarë dhe 42 të tjerë të plagosur, pesë prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike. Mes viktimave janë një i mbijetuar i Holokaustit, një vajzë 10-vjeçare dhe rabini me origjinë britanike, Eli Schlanger.

“Njerëzit thjesht i shkelnin kokën. Edhe unë bëra një goditje mjaft të mirë në kokën e tij, por mendoj se ishte mjaft e merituar duke pasur parasysh rrethanat. Më mbushi me zemërim vetëm sa për t’i goditur me shqelma, sepse sapo ke parë të gjithë trupat e vdekur, ke parë familjet duke bërtitur dhe qarë. Kishte fëmijë në dysheme duke bërtitur dhe qarë”, tha dëshmitari.

Kryeministri australian Anthony Albanese e cilësoi ngjarjen si “një akt të lig antisemitizmi dhe terrorizmi që ka tronditur kombin”. Ai vlerësoi gjithashtu qytetarët që rrezikuan jetën për të ndihmuar të plagosurit dhe për të ndaluar autorët.

Sipas autoriteteve, Naveed Akram dhe babai i tij, Sajid Akram, 50 vjeç, janë identifikuar si dy të dyshuarit kryesorë. Babai u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje, ndërsa djali ndodhet në gjendje kritike në spital. Policia konfirmoi se janë sekuestruar gjashtë armë zjarri të regjistruara dhe dy mjete shpërthyese artizanale.

Mediat australiane raportojnë se Akram ishte hetuar më parë nga shërbimi i sigurisë ASIO për lidhje të dyshuara me ekstremizmin islamik. Burime izraelite të inteligjencës kanë sugjeruar përfshirje të mundshme të rrjeteve terroriste të mbështetura nga Irani, megjithëse autoritetet australiane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht një ndërhyrje të huaj.

Një rol kyç në shmangien e një bilanci edhe më tragjik pati edhe një dyqanxhi lokal, Ahmed Al Ahmed, i cili u përlesh me një nga autorët dhe arriti t’i marrë armën. Ai u plagos disa herë dhe po trajtohet në spital.

Pas sulmit, mbi 40 mijë australianë kanë dhuruar gjak në një valë solidariteti kombëtar, duke shënuar aksionin më të madh të dhurimit të gjakut në 16 vitet e fundit, sipas Kryqit të Kuq Australian Lifeblood.

Autoritetet kanë përjashtuar mundësinë e një autori të tretë dhe hetimet po vazhdojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB