Autobusi që po transportonte 40 studentët doli nga rruga dhe u përplas me një shkëmb, 16 të rinj humbin jetën
Studiuesit kanë zbuluar ndryshime në ADN-në e arinjve polarë që mund t’i ndihmojnë këto kafshë të përshtaten me klimat më të ngrohta. Studimi konsiderohet si hera e parë që është gjetur një lidhje statistikisht e rëndësishme midis rritjes së temperaturave dhe ndryshimeve të ADN-së në një specie të egër gjitarësh.
Ndryshimet klimatike po kërcënojnë seriozisht mbijetesën e arinjve polarë. Dy të tretat e popullatës së tyre pritet të zhduken deri në vitin 2050, ndërsa akulli detar shkrihet dhe temperaturat rriten.
Sipas ‘The Guardian’, shkencëtarët nga Universiteti i Anglisë Lindore kanë zbuluar se disa gjene të lidhura me stresin nga nxehtësia, plakjen dhe metabolizmin shfaqin sjellje të ndryshme tek arinjtë polarë që jetojnë në Groenlandën juglindore. Kjo sugjeron se këta arinj mund të jenë duke u përshtatur gradualisht me kushtet më të ngrohta.
Studiuesit analizuan mostra gjaku të marra nga arinj polarë në dy rajone të Groenlandës dhe u përqendruan te të ashtuquajturat “gjene kërcyese”, segmente të vogla dhe të lëvizshme të ADN-së që mund të ndikojnë në mënyrën se si funksionojnë gjene të tjera. Ata krahasuan aktivitetin e këtyre gjeneve me të dhënat e temperaturës në secilin rajon dhe ndryshimet përkatëse në shprehjen gjenetike.
“ADN-ja është libri i udhëzimeve brenda çdo qelize, që drejton mënyrën se si një organizëm rritet dhe zhvillohet,” tha studiuesja kryesore, Dr. Alice Godden. “Duke krahasuar gjenet aktive të këtyre arinjve me të dhënat lokale klimatike, zbuluam se rritja e temperaturave duket se po nxit një rritje të ndjeshme të aktivitetit të gjeneve kërcyese në ADN-në e arinjve të Groenlandës juglindore”, shtoi ai.
Ndërsa klima dhe dieta lokale ndryshojnë si pasojë e shkrirjes së akullit dhe ndryshimeve në disponueshmërinë e gjahut, edhe gjenetika e arinjve polarë duket se po përshtatet. Popullatat që jetojnë në zonat më të ngrohta tregojnë më shumë ndryshime gjenetike sesa ato në veri.
Autorët e studimit theksojnë se këto gjetje mund të ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si arinjtë polarë mund të mbijetojnë në një botë që po ngrohet, të identifikojnë popullatat më të rrezikuara dhe të udhëzojnë përpjekjet e ardhshme për ruajtjen e specieve.
Studimi, i botuar në revistën shkencore Mobile DNA, sugjeron se gjenet që po ndryshojnë luajnë një rol kyç në evolucionin e popullatave të ndryshme të arinjve polarë.
“Ky zbulim është i rëndësishëm sepse tregon për herë të parë se një grup unik arinjsh polarë në pjesën më të ngrohtë të Groenlandës po përdor ‘gjene kërcyese’ për të rishkruar me shpejtësi ADN-në e tyre,” tha Godden. “Ky proces mund të jetë një mekanizëm i dëshpëruar mbijetese përballë shkrirjes së akullit detar”, shtoi ai.
Temperaturat në Groenlandën verilindore janë më të ftohta dhe më të qëndrueshme, ndërsa në juglindje kushtet janë dukshëm më të ngrohta, me më pak akull dhe luhatje të mëdha të temperaturës.
Studiuesit vunë re gjithashtu ndryshime në zonat e ADN-së të lidhura me përpunimin e yndyrës, të cilat mund t’i ndihmojnë arinjtë të mbijetojnë në periudha mungese ushqimi. Arinjtë në rajonet më të ngrohta kishin dieta më të varfra, me më shumë bazë bimore, krahasuar me dietat e pasura me yndyrë të bazuara në foka të arinjve veriorë, dhe ADN-ja e tyre duket se po përshtatet me këto ndryshime.
“Ne identifikuam disa ‘pika të nxehta’ gjenetike ku këto gjene kërcyese ishin veçanërisht aktive,” shtoi Godden, “duke sugjeruar se arinjtë polarë po përjetojnë ndryshime të shpejta dhe thelbësore gjenetike ndërsa përshtaten me habitatin e tyre në zhdukje.”
Hapi i ardhshëm i kërkimit do të jetë analizimi i popullatave të tjera të arinjve polarë – gjithsej 20 në mbarë botën – për të parë nëse ndryshime të ngjashme po ndodhin edhe tek ato.
Megjithëse ky hulumtim ofron shpresë për mbijetesën e arinjve polarë, shkencëtarët theksojnë se është thelbësore të frenohet rritja e temperaturave globale duke ulur djegien e lëndëve djegëse fosile.
“Nuk mund të jemi të vetëkënaqur. Kjo na jep njëfarë shprese, por nuk do të thotë se arinjtë polarë janë më pak të rrezikuar. Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të ulur emetimet globale të karbonit dhe për të ngadalësuar ngrohjen e planetit”, përfundoi ai.
Top Channel