Zbulohen shtetet amerikane të goditura më rëndë nga gripi këtë vit, me 3 milionë njerëz të prekur dhe…

13/12/2025 18:53

Këto janë shtetet amerikane më të goditura nga gripi këtë sezon, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë se rreth 2.9 milionë persona janë sëmurë deri tani gjatë kësaj vere dimërore.

Edhe pse gripi prek miliona amerikanë çdo vit, viti 2025 po shënon një situatë më të rëndë se zakonisht, me atë që ekspertët po e quajnë një “super grip”, i cili po përhapet më agresivisht se në vitet e mëparshme. Kjo lidhet me një variant të gripit të njohur si H3N2, një nga dy llojet kryesore që qarkullojnë aktualisht. Brenda këtij grupi, një nënvariant i quajtur “K” është bërë dominues në SHBA dhe po përhapet gjithashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gjatë javës së fundit është vërejtur një rritje prej 8.1% e rasteve, çka ka shtyrë autoritetet shëndetësore të bëjnë thirrje për vaksinim. Deri më tani, 127 milionë doza të vaksinës kundër gripit janë shpërndarë këtë sezon, ndërsa CDC rekomandon që të vaksinohen të gjithë personat mbi moshën 6 muajsh.

Raporti javor i survejimit të gripit nga CDC rendit edhe shtetet më të prekura. Që nga 6 dhjetori, Colorado, Louisiana, New Jersey dhe New York raportojnë nivele të larta të gripit, me New York-in që shënon aktivitet shumë të lartë. Ndërkohë, Georgia, Idaho, Massachusetts, Michigan, South Carolina dhe Texas ndodhen në një nivel mesatar të përhapjes. Në anën tjetër, Illinois, Montana, Nebraska, North Dakota, Washington dhe Wyoming kanë nivel minimal të rasteve.

Ndryshe nga ftohja e zakonshme, gripi shfaqet shpesh papritur dhe me simptoma të forta. Ai mund të shkaktojë lodhje ekstreme, temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh, dhimbje trupi dhe,në disa raste, të vjella apo diarre.

Në shumicën e rasteve, gripi mund të trajtohet në shtëpi me pushim dhe hidratim të mjaftueshëm, ndërsa simptomat zakonisht përmirësohen brenda 5 deri në 7 ditë. Megjithatë, personat që përjetojnë shenja të rënda, si temperaturë shumë të lartë, vështirësi në frymëmarrje apo shenja dehidratimi, duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore. Siç thekson Dr. Robert Hopkins Jr., drejtor mjekësor i Fondacionit Kombëtar për Sëmundjet Infektive:

“Gripi nuk është thjesht një ftohje. Ai mund të jetë shumë serioz.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta