“Trimat” me thikë në dorë, modeli i të fortit në rrethin shoqëror që i shtyn adoleshentët drejt dhunës

13/12/2025 12:23

Një fenomen shqetësues po merr përmasa mes adoleshentëve, përdorimi i armëve të mprehta dhe pozimi me to në rrjetet sociale, duke nxitur konfliktet e dhunshme dhe modelin e të fortit mes tyre. 

Së fundmi, një 14-vjeçar nga Durrësi u bë viral në TikTok duke pozuar me një thikë në dorë, gjë që ngjalli reagim te qytetarët. Kjo vjen pak ditë pas ndarjes nga jeta të 15-vjeccarit Erion Boba, që u godit me thikë nga një bashkëmoshatar. Policia ndërhyri duke e proceduar penalisht të miturin për mbajtje të armës së ftohtë.

Konfliktet e shpeshta dhe krimet mes të miturve e kanë shtuar shqetësimin dhe pasigurinë për ta tek të rriturit, të cilët thonë se rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më shumë negativisht tek të miturit, ndërsa kërkojnë më shumë përgjegjësi nga prindërit dhe institucionet.

Ekspertët theksojnë se parandalimi i fenomeneve të tilla vjen përmes komunikimit të hapur brenda familjes dhe angazhimit të shkollës në edukimin e nxënësve rreth pasojave të sjelljeve të rrezikshme, po jo vetëm atyre.

Mbajtja e armëve të ftohta, apo mjeteve të tjera të forta, sipas specialistëve, duhet të shërbejnë si sinjal alarmi për të ndërhyrë më herët te adoleshentët, me qëllim orientimin e tyre drejt sjelljeve të sigurta dhe të përgjegjshme.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta