Lufta e SHBA-së ndaj trafikantëve të drogës, Trump lajmëron nisjen e operacioneve tokësore në Amerikën Latine

13/12/2025 08:34

Qëllimi i Uashingtonit për të nisur operacione ushtarake tokësore kundër rrjeteve të trafikimit të drogës në Amerikën Latine u njoftua të premten nga Presidenti Donald Trump, duke sqaruar se koha dhe vendi i sulmeve nuk janë vendosur ende.

Donald Trump deklaroi nga Zyra Ovale se Uashingtoni po kalon në një fazë të re të fushatës së tij ushtarake kundër drogës, pas sulmeve që janë kryer tashmë në det. “Ne neutralizuam 96% të drogës që vinte nga deti dhe tani po fillojmë nga toka. Dhe nga toka është shumë më e lehtë, dhe kjo do të fillojë të ndodhë”, u tha ai gazetarëve.

Presidenti amerikan ka njoftuar vazhdimisht një zgjerim të operacioneve në ditët e fundit, të cilat vijnë pas një serie sulmesh të Pentagonit ndaj anijeve që, sipas forcave të armatosura amerikane, po përdoreshin për të transportuar drogë në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Amerikës së Jugut.

Edhe pse retorika e Shtëpisë së Bardhë është interpretuar kryesisht si një mjet për të ushtruar presion mbi Presidentin Venezuelan Nicolas Maduro, Donald Trump ka argumentuar se sulmet e mundshme tokësore nuk do të kufizoheshin domosdoshmërisht në atë vend. “Nuk është e thënë domosdoshmërisht të jetë në tokën venezueliane”, tha ai, duke shtuar se “njerëzit e tmerrshëm që sjellin drogë në vendin tonë janë shënjestra”.

Trump i justifikoi lëvizjet e tij duke e krahasuar luftën kundër trafikimit të drogës me operacionet e luftës. Ai tha se nëse vdekjet nga mbidoza do të regjistroheshin si viktima në luftë, “do të ishte një luftë si asnjë tjetër”.

Më parë këtë javë, Presidenti venezuelian Nicolas Maduro paralajmëroi se në rast të një sulmi të huaj, klasa punëtore duhet të shkojë në një “grevë të përgjithshme kryengritëse” dhe të kërkojë “një revolucion edhe më radikal”, duke e përshkallëzuar më tej konfliktin.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta